TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Qershor 2026, 15:55

Gjykata e Lartë hap garën për 3 vende vakante në KLGJ, publikon kriteret dhe afatet

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata e Lartë hap garën për 3 vende vakante në KLGJ,

Gjykata e Lartë ka nisur zyrtarisht procedurat për përzgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), duke shpallur thirrjen publike për gjyqtarët që dëshirojnë të kandidojnë.

Procesi zhvillohet në kuadër të përfundimit të mandatit pesëvjeçar të tre anëtarëve aktualë të KLGJ-së, të cilët do të mbyllin detyrën më 12 dhjetor 2026. Bëhet fjalë për një anëtar të zgjedhur nga gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë, një nga gjykatat e apelit dhe një nga Gjykata e Lartë.

Në zbatim të ligjit nr. 115/2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", Kryetari i Gjykatës së Lartë shpalli më 26 qershor 2026 thirrjen për paraqitjen e kandidaturave.

Gjyqtarët që plotësojnë kriteret ligjore dhe dëshirojnë të kandidojnë duhet të dorëzojnë shprehjen e interesit me shkrim deri më 13 korrik 2026, së bashku me dokumentacionin e kërkuar.

Paketa e dokumenteve përfshin CV-në e përditësuar, deklaratat e mbështetjes nga gjyqtarë të tjerë, formularin e vetëdeklarimit, platformën personale me objektivat e kandidatit, si dhe deklaratat që lidhen me integritetin dhe konfliktin e mundshëm të interesit.

Dokumentacioni mund të dërgohet në adresën elektronike [email protected] ose me postë pranë Gjykatës së Lartë, në adresën: Rruga "Ibrahim Rugova", Nr. 20, 1001, Tiranë.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata e Lartë u bën thirrje të gjithë gjyqtarëve që përmbushin kriteret ligjore të bëhen pjesë e procesit, me synimin për të garantuar një përbërje të KLGJ-së të bazuar në profesionalizëm, integritet dhe besueshmëri.

Njoftimi i Gjykatës së Lartë:

Në datën 12.12.2026 përfundojnë mandatin e plotë 5 vjeçar 3 (tre) anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga të cilët 1 (një) anëtar i zgjedhur nga rradhët e gjyqtarëve të gjykatës së shkallës së parë, 1 (një) anëtar i zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të apelit si dhe 1 (një) anëtar nga Gjykata e Lartë.

Referuar nenit 9 të ligjit nr. 115/2016, Kryetari i Gjykatës së Lartë, me anë të këtij njoftimi publik, shpall sot në datë 26 qershor 2026 thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për anëtarë të KLGJ-së nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë, të gjykatave të apelit dhe të Gjykatës së Lartë.

Brenda datës 13 korrik 2026 gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Bazuar në nenin 10, pika 3 të ligjit nr. 115/2016, të ndryshuar, kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, bashkë me shprehjen e interesit, duhet të paraqesin edhe dokumentet e mëposhtme:

a) jetëshkrimin e përditësuar;

b) deklaratat individuale të gjyqtarëve që i kanë mbështetur, të nënshkruara rregullisht, sipas këtij formati: https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/urdher_Deklarat_individuale_mbeshretjes_KLGJ_af4b5bf782.docx

c) formularin e vetëdeklarimit, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, sipas këtij formati: https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/Formular_vetedeklarimi_per_zbatimin_e_Ligjit_138_2015_Per_garantimin_e_integritetit_te_personave_qe_zgjidhen_emerohen_ose_ushtrojne_funskione_publike_6bcc6ad5a8.pdf

ç) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;

d) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të shërbimeve të inteligjencës përpara 2 korrikut 1991, sipas këtij formati:

https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/FORMULAR_APLIKIMI_PER_INFORMIM_PER_ZYRTARET_PERPARA_EMERIMIT_NGRITJES_NE_DETYRE_ZGJEDHJES_NE_POSTE_TE_LARTA_PROCESIN_E_VETINGUT_Verifikimi_i_figures_5dfad157f5.pdf

dh) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete;

e) informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, ungj/emtë, nip/mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor. Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton dhe vë në dispozicion të të interesuarve një formular tip për dhënien e këtij informacioni, sipas këtij formati: https://klgj.al/media/d2umenli/vendim-nr-277-dat-01-07-2021-p-%C3%AFr-miratimin-e-formularit-n-%C3%AF-zbatim-t-%C3%AF-nenit-10-t-%C3%AF-ligjit-postuar-m-14-07-2021.pdf

ë) listën e personave të lidhur, të përcaktuar në ligjin për “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Ju bëjmë thirrje të gjithë gjyqtarëve që të shprehin interesin e tyre për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ me qëllim përtëritjen e përbërjes së këtij organi kushtetues me gjyqtarë që garantojnë profesionalizëm dhe besueshmëri.

Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese mund të bëhen në adresën elektronike [email protected], si dhe në adresën postare të Gjykatës së Lartë:

Rruga “Ibrahim Rugova”, Nr. 20, 1001, Tiranë.

gjykata e lartë klgj cv aplikime

Lini një Përgjigje