Një nga propozimet më të rëndësishme të paraqitura gjatë protestës kombëtare të ditës së 28-të ishte ngritja e një Kuvendi Kombëtar Qytetar, i cili sipas organizatorëve do të përfaqësojë zërin e protestuesve dhe të qytetarëve.
Duke folur nga tribuna e protestës, një prej pjesëmarrësve bëri të ditur se ideja është diskutuar prej ditësh me grupin koordinues dhe se puna për realizimin e saj ka nisur.
Sipas tij, deri më tani janë identifikuar rreth 500 kandidatë potencialë, nga të cilët do të përzgjidhet një përfaqësi e gjerë.
"Gjatë protestës kam folur për një ngritje të një Kuvendi Kombëtar Qytetar. Kam marrë pëlqimin e një pjese të madhe të popullit këtu në shesh. Kemi diskutuar edhe me grupin koordinues të protestës dhe jemi futur punës për ta bërë këtë. Janë mbledhur rreth 500 kandidatë potencialë. Por, përpara se të vazhdojmë, kemi nevojë për miratimin tuaj. A jeni dakord që ta vazhdojmë një punë të tillë apo jo?", iu drejtua ai protestuesve.
Pyetja u prit me brohoritje dhe një përgjigje masive "Po" nga turma e mbledhur para Kryeministrisë.
Folësi shpjegoi se synimi është që Kuvendi Kombëtar Qytetar të përbëhet nga jo më pak se 300 përfaqësues, të cilët do të përfaqësojnë segmentet e ndryshme të shoqërisë dhe të vetë protestës.
"Në çastin që ata njerëz do të përzgjidhen, do të jenë jo më pak se 300, pra një përfaqësi shumë e gjerë që të përfaqësojë të gjitha segmentet e protestës. Do të vijnë këtu përpara popullit dhe secili do të duhet të marrë miratimin nga populli", deklaroi ai.
Sipas nismëtarëve, askush nuk do të zgjidhet nga grupe të vogla apo me vendime të mbyllura, por vetëm me miratimin e protestuesve.
"Nuk do të ketë asnjë që të jetë i zgjedhur nga vetvetja ose nga grupe të vogla, vetëm me miratimin e të gjithë popullit protestues", përfundoi ai.
Propozimi u prit me duartrokitje nga pjesëmarrësit, ndërsa organizatorët pritet të bëjnë publike në ditët në vijim hapat e mëtejshëm për krijimin e këtij forumi qytetar.
Vleresoj shume idene e 300 perfaqesuesve te protestes te cilet do perfaqesojne interesat kryesore te protestuesve dhe gjithe kombit te cilet duhet te jene kunder gjithe asaj pjese te klases pllitike tranzicionale qe ka abuzuar per 35 vite, per ti larguar per gjithmone nga zyrat e shtetit dhe nga politika.