TAGS-AT E JAVËS

Sport27 Qershor 2026, 15:35

“Një Kupë Bote katastrofike”, kapiteni i Iranit shpërthen pas barazimit me Egjiptin: Doni që të eliminohemi, por nuk është e drejtë

Shkruar nga Pamfleti
“Një Kupë Bote katastrofike”, kapiteni i Iranit
Kapiteni i Iranit, Mehdi Taremi

Pas barazimit 1-1 ndaj Egjiptit, kapiteni i kombëtares së Iranit, Mehdi Taremi, ngriti pikëpyetje nëse skuadra e tij është vërtet e mirëpritur në Kupën e Botës, duke kritikuar ashpër kushtet në të cilat po zhvillon ndeshjet në Shtetet e Bashkuara.

Sulmuesi iranian humbi një penallti në fillim të takimit dhe më pas goditi traversën me kokë. Në minutat e fundit, Irani shënoi një gol që do t'i siguronte kualifikimin nga faza e grupeve, por ai u anulua për pozicion jashtë loje.

Përveç sfidave në fushë, kombëtarja iraniane është përballur edhe me vështirësi logjistike. Edhe pse autoritetet amerikane lejuan ekipin të udhëtonte nga baza e tij në Tijuana të Meksikës dy ditë para ndeshjes, në vend të një dite, Taremi tha se kushtet mbeten të padrejta.

Kapiteni iranian e përshkroi organizimin e turneut si një "katastrofë" logjistike dhe kërkoi ndërhyrjen e FIFA-s.

"FIFA duhet të zgjidhë çdo problem këtu, por për fat të keq nuk arriti ta bënte këtë që nga fillimi," tha Taremi para gazetarëve.

Ai zbuloi gjithashtu se presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, kishte vizituar dhomën e zhveshjes së Iranit pas ndeshjes së parë.

"Ky është vetëm fillimi'. Por faza e grupeve përfundon nesër dhe ne ende nuk kemi njerëzit tanë të logjistikës këtu," u shpreh Taremi.

Futbollisti kritikoi edhe detyrimin për të udhëtuar vazhdimisht drejt Tijuana-s, duke theksuar se problemi nuk lidhet me qytetin apo banorët e tij.

"Ne i duam njerëzit e Meksikës. E duam Tijuanën, është një vend i mrekullueshëm dhe njerëzit janë shumë mikpritës. Por si futbollistë profesionistë, në një garë të këtij niveli, kjo nuk është e drejtë."

Taremi la të kuptohej gjithashtu se Irani nuk ndihet i mirëpritur në këtë turne, edhe pse skuadra ende ka shanse të sigurojë një vend në fazën me eliminim direkt, në varësi të rezultateve të ndeshjeve të tjera.

"Kush dëshiron të na ndihmojë? Kush? Nëse duan që ne të eliminohemi, në rregull, le të eliminohemi dhe të largohemi. Por kjo nuk është e drejtë," përfundoi kapiteni i Iranit.

mehdi taremi kapiteni i iranit kupa e botës

Lini një Përgjigje