TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Qershor 2026, 16:34

Dosja “Toyota Yaris”, dërgohen për gjykim biznesmeni Astrit Vladi dhe Eriona Daupaj!

Shkruar nga Pamfleti
Dosja “Toyota Yaris”, dërgohen për gjykim biznesmeni
Foto ilustruese

Të dy akuzohen nga SPAK për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe korrupsion në sistemin e drejtësisë.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të dërgojë për gjykim biznesmenin Astrit Vladi dhe Eriona Daupajn, të akuzuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për disa vepra penale që lidhen me dosjen "Toyota Yaris".

Vendimi u mor në seancën paraprake të zhvilluar më 25 qershor 2026, ku gjyqtari Paulin Çera pranoi kërkesën e SPAK për kalimin e çështjes në gjykim.

Sipas akuzës, Astrit Vladi akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, në disa episode dhe në bashkëpunim, si edhe për korrupsion aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë.

Ndërkohë, Eriona Daupaj akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, si dhe korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë.

Sipas hetimeve të SPAK, ngjarjet lidhen me vitin 2020, kur Astrit Vladi dyshohet se i ka kërkuar avokates Elona Lazimi të ndikonte te një gjyqtar që shqyrtonte çështjen penale ndaj vëllait të tij, Elvis Vladi, kundrejt përfitimeve të paligjshme financiare.

Emri i avokates Lazimi doli gjatë hetimeve të dosjes së njohur si "Toyota Yaris", e cila lidhet me sekuestrimin në vitin 2018 të rreth 3.4 milionë eurove të fshehura në dy automjete tip "Toyota" të ardhura nga Belgjika. Kjo dosje ka sjellë më herët edhe dënimin e ish-kryeprokurores së Vlorës, Aurela Zarka, si dhe të avokatit Radovan Çela.

Me vendimin e GJKKO-së, çështja do t'i kalojë për shqyrtim trupës gjykuese prej tre gjyqtarësh, e cila do të përzgjidhet me short. Sipas njoftimit të gjykatës, ndaj këtij vendimi nuk lejohet ankim.

Vendimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 03.04.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 26, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Astrit Vladi  dhe Eriona Daupaj.”. 

Në seancën e datës 25.06.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Paulin Çera, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin nr. 17/89, datë 25.06.2026, vendosi: 

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.

2. Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimeve penale Nr. 26, datë 07.02.2024, në ngarkim të të pandehurve Astrit Vladi, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e kryer katër herë, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) e 25 (sipas përmbajtjes para ndryshime me ligjin nr.43/2021) dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 319 e 25 të Kodit Penal dhe Eriona Daupaj, e akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer katër herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi (2) e 25 (sipas përmbajtjes para ndryshime me ligjin nr. 43/2021); “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a paragrafi (3); “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer dy herë, parashikuar nga neni 319/ç të Kodit Penal; si dhe të procedimit penal Nr. 26/1/1, datë 18.07.2025, në ngarkim të të pandehurit Astrit Vladi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi (1) të Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021). 

gjkko astrit vladi dhe eriona daupaj

Lini një Përgjigje