11 organizata dhe shoqata shqiptare me aktivitet në Mbretërinë e Bashkuar i kanë drejtuar një letër të hapur Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku shprehin mbështetje për protestat qytetare që po zhvillohen prej më shumë se një muaji. Në dokument, ato kërkojnë ndërprerjen e çdo forme dhune ndaj protestuesve paqësorë.
Shkrimtarja Lea Ypi i është bashkuar nismës duke shpërndarë letrën në rrjetet sociale. Sipas organizatave firmëtare, protestat përfaqësojnë angazhimin e një shoqërie civile më të organizuar dhe ushtrimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të kërkuar llogari nga institucionet.
Në letër thuhet se në protesta marrin pjesë të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, të cilët kërkojnë mbrojtjen e pasurive natyrore, të hapësirave publike dhe garantimin e së drejtës për t'u dëgjuar nga institucionet shtetërore. Për këtë arsye, organizatat dënojnë çdo akt dhune, frikësimi apo represioni ndaj pjesëmarrësve në tubimet paqësore.
Dokumenti përfshin katër kërkesa drejtuar autoriteteve shqiptare:
-Transparencë të plotë për ligjet, vendimet dhe kontratat që lidhen me mjedisin dhe pasuritë natyrore.
-Llogaridhënie për proceset e shitjes ose dhënies me koncesion të pasurive shtetërore, me konsultim publik dhe mbikëqyrje parlamentare.
-Vendosjen e mbrojtjes së interesit publik në qendër të politikave të zhvillimit ekonomik.
-Nisjen e një dialogu konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe protestuesit.
Letra mban firmat e UKAP Foundation, Kosovar Albanian Youth Against Violence, British Albanian Culture & Arts Association, Edinburgh University Albanian Society, Albanian Book Lovers Culture Club, Cambridge Uni Albanian Society, LSE Albanian Society, Diasporas Speaking, UCL Albanian Society, Successful Mothers dhe Gjurmë Iliriane.
Letra e plotë:
Të nderuar përfaqësues të Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë,
Ne, shoqatat dhe bashkësitë shqiptare të themeluara dhe me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, shprehim mbështetje për protestat qytetare në Shqipëri dhe dënojmë dhunën policore ndaj protestuesve paqësorë.
Protestat e përditshme paqësore po shpalosin thelbin e një shoqërie civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe të organizuar. Mijëra qytetarë shqiptarë, ndër ta të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, kanë dalë në rrugë për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, hapësirat publike dhe të drejtën për t’u dëgjuar nga institucionet e shtetit.
Këto protesta janë shprehja më e pastër e demokracisë në veprim, e drejta kushtetuese dhe demokratike e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe për t’i kërkuar llogari institucioneve shtetërore.
Është pikërisht për këtë arsye që dënojmë me forcë çdo formë të dhunës, frikësimit apo represionit ndaj protestuesve paqësorë.
I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të marrë parasysh kërkesat thelbësore të lëvizjeve protestuese, të cilat kanë të bëjnë me:
Transparencën e plotë në lidhje me ligjet, vendimet dhe kontratat që prekin mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës, duke përfshirë projektet që ndikojnë në zonat e mbrojtura, lagunat bregdetare dhe ekosistemet ujore të vendit;
Llogaridhënien e institucioneve publike lidhur me shitjen ose dhënien me koncesion të pasurive shtetërore, duke garantuar se çdo vendim i tillë i nënshtrohet shqyrtimit publik, konsultimit paraprak dhe mbikëqyrjes parlamentare;
Mbrojtjen e interesit publik si kriter themelor dhe i panegociueshëm në çdo politikë zhvillimi ekonomik, duke refuzuar modele që i japin prioritet interesave private të ngushta ndaj të mirave kolektive të shoqërisë;
Dialogun e vërtetë dhe konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe lëvizjeve protestuese.
Me respekt dhe me shpresë,
UKAP Foundation
Kosovar Albanian Youth Against Violence
British Albanian Culture & Arts Association
Edinburgh University Albanian Society
Albanian Book Lovers Culture Club
Cambridge Uni Albanian Society
LSE Albanian Society
Diasporas Speaking
UCL Albanian Society
Successful Mothers
Gjurmë Iliriane


Kjo Ypi nuk eshte pjese e grupit te shoqatave, pse merr te drejten te dale LIDERRE me tinzi ?!. Shoqatat ne fjale duhet t'i tregojne vendi rriqen-ypit qe kerkon te kaleroje ku te mundet. I ngjan Dolit( t'emes)
Lea Ypi na nderon ne si shqiptare me suksesin e saj si shkrimtare e filozofe ne Europe.