Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje" ndaj Denada Todës, e cila u ekstradua nga Gjermania drejt Shqipërisë për llogari të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Vendimi u mor pas kërkesës së prokurorit të SPAK, Behar Dibra. Toda është nën hetim për veprën penale "zbulim i të dhënave të akteve sekrete", në kuadër të hetimeve të operacionit "Plumbi i Artë 2".
Urdhri për arrestimin e Denada Todës, e njohur edhe me mbiemrin Runaj, ishte lëshuar më 29 korrik 2024, pikërisht në ditën kur familja përkujtonte katërvjetorin e vrasjes së të vëllait të saj, Regis Runaj. Sipas të dhënave të dosjes, atë ditë familjarët kishin zhvilluar homazhe pranë varrit të viktimës, ndërsa më pas janë njoftuar nga Policia për ekzekutimin e masës së sigurisë "arrest në shtëpi", të caktuar nga SPAK ndaj Denada Todës.
Sipas SPAK, gjatë periudhës shtator–tetor 2020, kur ushtronte detyrën si sekretare gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit, Toda dyshohet se u ka përcjellë personave të ndryshëm dokumente që përmbanin të dhëna sekrete, duke cenuar sekretin hetimor. Për këtë arsye ajo po hetohet për veprën penale "zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete".
Denada Toda ka shërbyer për më shumë se dhjetë vite si sekretare gjyqësore në gjykatat e Tiranës dhe Elbasanit, ku ka punuar pranë ish-gjyqtares Pajtime Fetahu.
Ajo është motra e Regis Runajt, i cili u vra më 29 korrik 2020 në Elbasan. Për këtë ngjarje, Euglen Halili është dënuar me 17 vite burgim, ndërsa Xhuljano Hoxha është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Regis Runajt dhe Emiljano Ramazanit. Ndërkohë, Erjon Alibej është marrë i pandehur dhe ndodhet në pritje të gjykimit, së bashku me persona të tjerë, edhe për ngjarje të tjera kriminale.
Sipas dosjes gjyqësore, vrasja e Regis Runajt u krye me thikë. Referuar provave të administruara në proces, Euglen Halili e goditi fillimisht viktimën teksa të dy lëviznin me një motoçikletë. Pas rrëzimit nga motori, ai vijoi ta godiste me thikë deri sa Runaj humbi jetën. Nga aktet rezulton se viktima mori gjithsej 27 goditje me thikë.
Pas krimit, Halili u largua me motoçikletën e viktimës. Hetimet e Policisë çuan në sekuestrimin e mjetit, ku u gjetën gjurmë gjaku të Regis Runajt, si dhe një gjurmë gishti që iu atribuua Euglen Halilit. Sipas dosjes, pas përballjes me provat, Halili pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë dhe deklaroi se organizatori i vrasjes ishte Xhuljano Hoxha, ndërsa tregoi se arma e krimit, një thikë, ishte hedhur në lumin Shkumbin.
Lini një Përgjigje