TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Maj 2026, 17:15

Prokuroria e Milanos zgjeron hetimet për skandalin e arbitrave, nën hetim një takim mes Xhanluka Rokit dhe zyrtarit të Interit

Shkruar nga Pamfleti
Prokuroria e Milanos zgjeron hetimet për skandalin e arbitrave, nën
xhanluka roki-xhorxho shenone

Prokuroria e Milanos po thellon hetimet mbi sistemin e arbitrimit në futbollin italian, mes dyshimeve për favore dhe ndërhyrje në përdorimin e sistemit VAR. Në fokus të hetimeve të fundit ka përfunduar një takim i dyshuar i zhvilluar më 2 prill 2025 në stadiumin “San Siro”, ku dyshohet se është diskutuar për emërimin e arbitrave në favor të Interit.

Sipas hetuesve, në takim mund të ketë marrë pjesë Xhorxho Shenone, zyrtari i klubit zikaltër përgjegjës për marrëdhëniet me arbitrat, së bashku me ish-dizenjatorin e arbitrave italianë, Xhanluka Roki.

Edhe pse Shenone nuk është aktualisht nën hetim, ai pritet të merret në pyetje më 8 maj nga prokurori Mauricio Asçione, i cili drejton hetimin për skandalin e dyshuar të arbitrave në Serinë A.

Sipas akuzave paraprake, Roki dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka ndikuar në përzgjedhjen e arbitrave për disa ndeshje të rëndësishme të Interit.

Një nga rastet nën hetim lidhet me arbitrin Daniele Doveri. Hetuesit pretendojnë se ai u caktua për ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Italisë mes Milanit dhe Interit, me qëllim që të mos arbitronte më pas finalen e mundshme apo ndeshje të tjera të rëndësishme të Interit në Serinë A, pasi konsiderohej “jo i preferuar” nga klubi zikaltër.

Po ashtu, në hetim është edhe emërimi i arbitrit Andrea Kolombo për ndeshjen Bolonja-Inter të 20 prillit 2025. Sipas dyshimeve, Kolombo shihej si një arbitër “i preferuar” nga Interi.

Emri i Xhorxho Shenones ka dalë në skenë përmes përgjimeve telefonike të Xhanluka Rokit. Në një bisedë të zhvilluar në prill 2025 mes Rokit dhe Andrea Gervasonit, mbikëqyrës i VAR-it, aktualisht i pezulluar dhe nën hetim, përmendet një person i identifikuar vetëm si “Xhorxhio”.

Bazuar në analizën e përgjimeve dhe dëshmive të mbledhura, Prokuroria dhe Guardia di Finanza po hetojnë mundësinë që Shenone të ketë qenë i pranishëm në takimin e zhvilluar në “San Siro”.

Në një nga bisedat e përgjuara, hetuesit kanë interpretuar frazën “nuk duan ta shohin më” si referencë ndaj arbitrit Daniele Doveri.

Pika kryesore e hetimit mbetet përcaktimi nëse kontaktet dhe ndikimet e dyshuara mbi emërimet e arbitrave përbëjnë apo jo elementë të mashtrimit sportiv.

 

xhanluka roki xhorxho shenone zyrtari i interit

Lini një Përgjigje