Një lajm surprizues ka ardhur nga Gjermania, ku mbrojtësi i Borusias së Dortmundit dhe i kombëtares gjermane, Niklas Shyle, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij në fund të këtij sezoni, edhe pse është vetëm 30 vjeç.
Futbollisti gjerman ka shpjeguar se problemet e vazhdueshme fizike dhe dëmtimet e shumta kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë vendim. Gjatë karrierës së tij, Shyle është përballur me një sërë lëndimesh serioze, përfshirë dy këputje të ligamenteve kroçiate, duke humbur mbi 130 ndeshje me klubet dhe kombëtaren.
Qendërmbrojtësi tregoi edhe momentin që, sipas tij, e bindi përfundimisht të largohej nga futbolli i luajtur. Ai iu referua dëmtimit të fundit në gju, të pësuar në ndeshjen ndaj Hofenhajmit.
“Ajo që ndjeva kur mjeku i ekipit bëri testin në dhomën e zhveshjes, pa fizioterapistin dhe tundi kokën… Shkova në dush dhe qava për dhjetë minuta. Në atë moment mendova vërtet: ‘Është këputur përsëri’”, deklaroi Shyle..
Mbrojtësi shtoi se frika për t’u përballur sërish me një dëmtim të rëndë ishte vendimtare në zgjedhjen e tij.
“Kur të nesërmen bëra rezonancën magnetike dhe mora lajmin e mirë se nuk ishte ligament, për mua u bë 100% e qartë se gjithçka kishte marrë fund. Nuk mund të imagjinoja asgjë më të keqe sesa të nisja edhe një herë nga e para me një tjetër dëmtim të ligamentit kroçiat. Nuk mund ta përballoja më të njëjtin proces për herë të tretë, mes rehabilitimit dhe muajve larg fushës, ndërsa jeta vazhdon pa ty”, u shpreh ai.
Niklas Shyle ka pasur një karrierë të rëndësishme në futbollin europian, duke luajtur në nivelet më të larta me Borusian e Dortmundit dhe Bajernin e Mynihut. Me bavarezët ai arriti të fitojë edhe Ligën e Kampioneve, ndërsa për vite me radhë ishte pjesë e rëndësishme e kombëtares gjermane.
Lini një Përgjigje