TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Maj 2026, 08:52

Vjedhja e shekullit, si u zhdukën nga garazhi privat i ish-pilotit të Formula 1 supermakinat me vlerë miliona euro

Shkruar nga Pamfleti
Vjedhja e shekullit, si u zhdukën nga garazhi privat i ish-pilotit të
Si u zhdukën nga garazhi privat i ish-pilotit të Formula 1 supermakinat me vlerë miliona euro

Një ngjarje që ngjan me një skenar filmi ka tronditur botën e automobilizmit, pasi nëntë supermakina me vlerë miliona euro janë zhdukur nga garazhi privat i ish-pilotit të Formula 1, Adrian Sutil. Në qendër të hetimeve janë vendosur mercenarët e grupit rus Wagner.

Sipas mediave gjermane, rasti nisi në dhjetor të vitit 2025, kur në prokurorinë e Stuttgartit u paraqit një kallëzim për zhdukjen e automjeteve luksoze nga rezidenca e Sutil në Monako. Avokati i ish-pilotit, Dirk Schmitz, tha se familja kishte marrë fillimisht një telefonatë kërcënuese nga një person që prezantohej si “Vladimir” dhe pretendonte se ishte pjesë e Wagnerit. Sipas tij, mesazhi ishte i qartë: makinat do të merreshin “me ose pa pëlqimin” e familjes.

Pak ditë më pas, disa persona të armatosur u paraqitën në garazh dhe, sipas avokatit, kërcënuan seriozisht familjen Sutil. Automjetet u ngarkuan dhe u zhdukën pa lënë gjurmë.

Në janar 2026, Adrian Sutil iu drejtua policisë së Monakos, duke deklaruar se ai dhe familja e tij po përballeshin me kërcënime të vazhdueshme për jetën nga persona të lidhur me Wagnerin.

Mes automjeteve të zhdukura ishte edhe një Koenigsegg Agera One:1, një nga vetëm shtatë modelet e prodhuara ndonjëherë në botë, me një vlerë të përllogaritur mes 10 dhe 22 milionë dollarëve. Makina kishte karroceri transparente prej fibre karboni dhe detaje rozë karakteristike, elementë që e bëjnë pothuajse të pamundur fshehjen apo shitjen e saj në tregun ndërkombëtar.

Nga koleksioni i Sutil mungojnë gjithashtu një Koenigsegg Regera, një Rolls-Royce Phantom, një Ferrari California, disa modele Lamborghini dhe Porsche, si edhe një Mercedes-Benz 600 që dikur i përkiste Elvis Presley-t.

Vlera totale e koleksionit të zhdukur përllogaritet në rreth 17 milionë euro, megjithëse ekspertët mendojnë se në tregun aktual shifra reale mund të jetë edhe më e lartë.

Hetimet kanë zbuluar edhe problemet ligjore të vetë ish-pilotit. Sutil kishte qenë më herët nën hetim për mashtrim dhe përvetësim në lidhje me financimin e makinave luksoze, ndërsa autoritetet gjermane kishin sekuestruar rreth 20 automjete të tjera të tij në Gjermani, Zvicër dhe Monako.

Sipas një piste hetimore, dyshohet se Sutil kishte kërkuar “mbrojtje” nga Wagner për automjetet që nuk ishin sekuestruar, por më pas nuk kishte përmbushur detyrimet financiare ndaj grupit. Sipas hetuesve, reagimi i mercenarëve ka qenë i ashpër.

Ndërkohë, Interpol ka marrë përsipër koordinimin ndërkombëtar të hetimeve, ndërsa autoritetet gjermane kanë lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj ish-pilotit.

Dyshohet se makinat janë transportuar drejt vendeve të Evropës Lindore ose Rusisë. Deri më tani, vetëm një nga nëntë automjetet e zhdukura është gjetur.

Ekspertët e automobilave e cilësojnë rastin si paradoksal, pasi një makinë si Koenigsegg Agera One:1 është aq e rrallë dhe e njohur, sa praktikisht nuk mund të shitet apo të shfaqet pa u identifikuar menjëherë. Për këtë arsye, besohet se hipermakina mbahet e fshehur si “trofe” ose përdoret si mjet presioni për negociata të ardhshme.

Lini një Përgjigje