Julian Ahmataj është një nga emrat që po qarkullon për të marrë drejtimin e Partizanit. “Panorama Sport” bën me dije se drejtuesit e të kuqve e konsiderojnë trajnerin elbasanas si një alternativë për të zëvendësuar Oltijon Kërnajën në pankinë.
Ahmataj përfundoi angazhimin e tij të fundit në janar, kur mbylli bashkëpunimin me kombëtaren shqiptare U-19. Më herët, ai ka drejtuar ekipet e moshave të Tiranës, ndërsa më pas mori edhe drejtimin e skuadrës së parë bardheblu, ku ishte pjesë gjatë periudhës 2021-2024.

I lindur në Elbasan, Ahmataj ka një lidhje të fortë me futbollin kryeqytetas, pasi një pjesë të madhe të karrierës si futbollist e kaloi me fanelën e Tiranës. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e Partizanit për një periudhë të shkurtër gjatë karrierës së tij si lojtar.
Ndërkohë, Partizani e mbylli sezonin në mënyrën më negative të mundshme. Humbja ndaj Egnatias vulosi përfundimisht mbetjen jashtë “Final Four”, duke lënë skuadrën edhe pa një vend në kupat e Europës për sezonin e ardhshëm. Rezultatet e dobëta pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në klub gjatë merkatos verore.
Lini një Përgjigje