Bylisi mori një fitore të rëndësishme ndaj Elbasanit me rezultatin 2-1, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, duke u ngjitur aktualisht në vendin e shtatë të renditjes, kur ka mbetur edhe një javë nga përfundimi i kampionatit.
Pas përfundimit të takimit, burime pranë “Panorama Sport” bëjnë me dije se trajneri Mirel Josa ka zhvilluar një takim me të gjithë lojtarët e skuadrës. Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një mbledhje pas fitores apo për një sinjal të mundshëm largimi të teknikut nga stoli i Bylisit vetëm një javë para fundit të sezonit.
Pritet që në orët në vijim të ketë më shumë qartësi lidhur me situatën e 62-vjeçarit.
Pas ndeshjes, vetë Josa u shpreh i kënaqur për suksesin e arritur, duke theksuar rëndësinë e çdo sfide në këtë fazë të kampionatit.

“Çdo ndeshje për ne është si finale. Kemi edhe një ndeshje tjetër, të shohim si do të shkojnë punët. Parashikime të mëdha nuk mund të bësh. E vetmja gjë që më gëzon sot është që morëm 3 pikët. Qoftë në Shkodër, qoftë këtu, nuk kemi luajtur të paracaktuar asgjë”, deklaroi Josa.
I pyetur për një koment ndaj trajnerit Arjan Bellai, Josa shmangu polemikat.
“Unë nuk ia hedh dorashkën askujt, jo vetëm Arjanit që e kam mik, por të gjithë trajnerëve të Superiores. Shpresoj që në vazhdimësi të kemi sa më pak probleme të gjithë”, përfundoi trajneri i Bylisit.
Lini një Përgjigje