Transmetuesi amerikan “Fox Sports” ka publikuar një nga njoftimet më të pazakonta të punës në botën e sportit, duke ofruar pozicionin e “Kryevëzhguesit të ndeshjeve të Botërorit”.
Detyra kryesore e personit që do të përzgjidhet është të ndjekë 104 ndeshjet e Kupës së Botës nga një kub xhami i vendosur në zemër të Times Square, në New York, përpara mijëra vizitorëve dhe tifozëve.
“Fox Sports” e ka promovuar këtë mundësi si “punën e ëndrrave”, ndërsa kandidati fitues do të paguhet 50 mijë dollarë, ose rreth 42 mijë e 500 euro, për të kryer këtë eksperiencë unike sportive.
Sipas njoftimit, personi i përzgjedhur do të nisë punën më 6 qershor dhe, përveç ndjekjes së ndeshjeve, do të duhet të krijojë përmbajtje për rrjetet sociale të kanalit sportiv amerikan, duke filmuar përjetimet dhe reagimet gjatë turneut.
“Fox Sports” ka bërë të ditur gjithashtu se në kubin e xhamit pritet të vizitojnë dhe të ndjekin ndeshje personazhe të njohur, figura publike dhe legjenda të sportit.
Lini një Përgjigje