Portieri shqiptar Klidman Lilo po tërheq vëmendjen në futbollin grek pas suksesit historik me OFI-n. Skuadra nga Kreta arriti të fitojë Kupën e Greqisë pas një finaleje të luftuar ndaj PAOK-ut, triumf që erdhi pas kohës shtesë dhe që i dha fund një pritjeje 39-vjeçare për trofeun.
Në një prononcim për “RTSH”, 23-vjeçari foli për eksperiencën e tij në Greqi, atmosferën te klubi dhe ëndrrën për të veshur fanelën e Kombëtares shqiptare.
“Eksperienca te OFI i Kretës, pavarësisht se ende nuk kam mbushur një vit, ka qenë shumë e bukur. Edhe me ekipin gjithçka ka shkuar mirë. Pas 39 vitesh fituam sërish Kupën e Greqisë dhe jam shumë i lumtur për këtë arritje”, u shpreh Lilo.
Gardiani shqiptar e cilësoi këtë sukses si një moment historik në karrierën e tij, ndërsa tregoi edhe emocionet gjatë festimeve.
“Ishte një moment historik dhe jam krenar që jam pjesë e tij. Si çdo lojtar që kishte flamurin e vendit të vet, edhe unë mbaja flamurin shqiptar. Dua të falënderoj Greqinë për gjithçka që më ka ofruar mua dhe familjes sime”, deklaroi ai.
Lilo foli edhe për lidhjen e tifozëve me klubin nga Kreta, duke theksuar mbështetjen e madhe që skuadra gëzon.
“Ka shumë tifozë të zjarrtë të OFI-t të Kretës dhe e ndjekin ekipin kudo”, tha portieri.
Në intervistë, ai ndaloi edhe te figura e ish-portierit shqiptar Arjan Beqja, i cili konsiderohet legjendë e klubit grek.
“Arjan Beqja është legjendë te ky ekip. Të gjithë flasin fjalët më të mira për të dhe për atë që ka bërë për klubin. Kur erdha këtu në verë, babai më tha se je shqiptari i dytë që do të luash për këtë skuadër, pas Beqjas”, tregoi Lilo.
Portieri zbuloi se është takuar me ish-gardianin shqiptar në fund të vitit të kaluar.
“E takova në dhjetor dhe është një njeri shumë i mirë. Kam shumë respekt për të”, shtoi ai.
Lilo kujtoi gjithashtu eksperiencën me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë, duke falënderuar trajnerin Alban Bushi për besimin.
“Jam aktivizuar me U-21 të Shqipërisë dhe kjo më ka bërë shumë të lumtur e krenar. Dua të falënderoj trajnerin Alban Bushi që më dha mundësinë”, u shpreh ai.
Sa i përket objektivave për të ardhmen, portieri shqiptar nuk e fsheh dëshirën për të marrë një ftesë nga Kombëtarja A.
“Ëndrra ime, si çdo lojtar, është të jem pjesë e Kombëtares së madhe. Është diçka që e pres shumë dhe shpresoj të vijë sa më shpejt”, deklaroi Lilo.
Në fund, ai tregoi edhe idhujt e tij mes shtyllave.
“Portieri që më ka pëlqyer gjithmonë është Manuel Nojer. Mund të përmend edhe Bufonin”, përfundoi 23-vjeçari shqiptar.
Bravo Bravo krenohem per arritjen tuaj