TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Maj 2026, 16:07

Plas në Vlorë pak minuta para ndeshjes me Teutën, Flamurtari akuza të forta për caktimin e Eldorian Hamitit

Shkruar nga Pamfleti
Plas në Vlorë pak minuta para ndeshjes me Teutën, Flamurtari
flamurtari

Flamurtari dhe Teuta do të përballen sot në stadiumin e Vlorës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të të kampionatit “Abissnet Superiore”. Takimi pritet të nisë në orën 16:00.

Pak minuta para zhvillimit të sfidës, klubi vlonjat ka reaguar publikisht kundër vendimit të Federatës Shqiptare të Futbollit për të caktuar Eldorian Hamitin si arbitër kryesor të takimit.

Në një deklaratë zyrtare, Flamurtari shpreh indinjatën lidhur me këtë emërim, duke pretenduar se në ndeshjet e mëparshme të gjykuara nga arbitri lezhjan kanë ekzistuar episode të diskutueshme që, sipas klubit, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën e lojës dhe garën në kampionat.

Klubi kuqezi thekson gjithashtu se Hamiti ka treguar “njëanshmëri” në sfidat ku ka qenë pjesë e trupës së arbitrimit, duke ngritur dyshime mbi paanshmërinë e gjykimit për këtë përballje të rëndësishme.

Deklarata zyrtare e Flamurtarit:

Në prag të ndeshjes së sotme, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë lidhur me përzgjedhjen e arbitrit Eldorian Hamiti për të gjykuar këtë takim.

Pavarësisht shkresave të dërguara në mënyrë zyrtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ku kemi paraqitur rezervat dhe problematikat tona të mëparshme, konstatojmë se në 4 ndeshjet e fundit ndaj Teutës, në 3 prej tyre është caktuar i njëjti arbitër.

Përvoja jonë me këtë arbitër ka qenë e shoqëruar me vendime të diskutueshme dhe situata që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e lojës, duke krijuar dyshime të arsyeshme mbi paanshmërinë dhe standardin e gjykimit.

Në këto kushte, ritheksojmë kërkesën tonë për një vlerësim më të kujdesshëm dhe profesional në përzgjedhjen e arbitrave, në mënyrë që të garantohet një garë e drejtë dhe transparente për të gjitha palët.

Ky reagim nuk ka për qëllim të cenojë askënd personalisht, por të mbrojë integritetin e garës dhe interesin e klubit tonë”.

flamurtari eldorian hamiti

Lini një Përgjigje