TAGS-AT E JAVËS

Sport 5 Maj 2026, 22:34

E ardhmja e Ernest Muçit te Trabzonspori në pikëpyetje, një danez mund t’i shkatërrojë gjithçka pas sezonit të shkëlqyer

Shkruar nga Pamfleti
E ardhmja e Ernest Muçit te Trabzonspori në pikëpyetje,
ernest muçi

Ernest Muçi po kalon një periudhë pasigurie në lidhje me të ardhmen e tij në futbollin turk. Mesfushori i Kombëtares shqiptare pret të mësojë nëse do të vijojë të jetë pjesë e Trabzonsporit, skuadër ku është aktivizuar në formë huazimi nga Beshiktashi dhe ku ka dhënë kontribut me gola dhe asiste.

Sipas marrëveshjes mes dy klubeve, Trabzonspori ka afat deri më 10 maj për të aktivizuar klauzolën e blerjes, e cila parashikon pagesën e këstit të parë prej 8.5 milionë eurosh. Deri tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga klubi për ushtrimin e kësaj të drejte, çka ka shtuar pasigurinë mbi të ardhmen e lojtarit.

Ndërkohë, raportimet nga mediat turke tregojnë se Trabzonspori ka nisur bisedimet me Karlo Holse, sulmuesin danez të Samsunsporit. Holse ka spikatur këtë sezon me 10 gola dhe 9 asiste, duke tërhequr vëmendjen e drejtuesve të klubit.

Sipas të njëjtave burime, Trabzonspori ka kërkuar leje për të negociuar transferimin e lojtarit gjatë verës dhe synon ta aktivizojë atë në rolin e numrit 10. Ky zhvillim interpretohet si një sinjal se klubi mund të mos e ushtrojë opsionin e blerjes për Muçin.

Në këtë situatë, Muçi mund të përballet sërish me një verë vendimtare për karrierën e tij. Kthimi te Beshiktashi nuk duket një alternativë e qendrueshme, pasi sipas raportimeve, klubi synon më shumë përfitimin financiar nga një shitje e mundshme sesa integrimin e tij në skuadër.

ernest muçi sulmuesi shqiptar trabzonspor

Lini një Përgjigje