TAGS-AT E JAVËS

Sport 5 Maj 2026, 20:57

Flamurtari fiton titullin e 27 duke dominuar Partizanin, vajzat kuqezi shpallen kampione të trefishta në basketboll

Shkruar nga Pamfleti

Flamurtari fiton titullin e 27 duke dominuar Partizanin, vajzat kuqezi shpallen

Flamurtari është shpallur kampion i Shqipërisë në basketboll për femra, pasi ka fituar edhe ndeshjen e tretë finale ndaj Partizanit me rezultatin 76-55, duke e mbyllur serinë përfundimtare me rezultatin e përgjithshëm 3-0.

Skuadra vlonjate tregoi epërsi të qartë gjatë gjithë serisë finale. Edhe në ndeshjen e tretë, të zhvilluar në Vlorë, Flamurtari e nisi takimin me ritëm të lartë, duke krijuar një avantazh prej 8 pikësh që në periodën e parë (14-6). Loja e kontrolluar vijoi edhe në pjesën e dytë, e cila u mbyll me rezultatin 39-29.

Pas pushimit, Flamurtari thelloi diferencën, duke e mbyllur periodën e tretë në shifrat 57-38. Në minutat e fundit, trajnerja aktivizoi edhe lojtaret e reja, ndërsa ndeshja u mbyll përfundimisht 76-55.

Ky titull është i 27-ti në historinë e klubit dhe i dyti radhazi. Në gjashtë sezonet e fundit, Flamurtari ka fituar pesë tituj kampionë, duke konfirmuar dominimin në basketbollin e femrave në vend.

Sezoni aktual konsiderohet i veçantë për skuadrën, pasi është mbyllur pa asnjë humbje, vetëm me fitore.

Pas përfundimit të ndeshjes, në Pallatin e Sportit në Vlorë nisi festa mes lojtareve dhe tifozëve. Trofeu i kampionatit iu dorëzua kapitenes Muçenji nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.

Çmimi për lojtaren më të mirë të finaleve (MVP) iu dha Gedeon, pjesë e Flamurtarit.

Trajnerja Elona Hasanaj dhe kapitenia Muçenji e cilësuan këtë sukses si një arritje të rëndësishme për ekipin, ndërsa presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, vlerësoi sezonin si pozitiv për basketbollin shqiptar.

Me këtë triumf, Flamurtari kompleton një sezon të suksesshëm, duke fituar jo vetëm kampionatin, por edhe Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë.

flamurtari basketboll për femra kampionet e shqipërisë

Lini një Përgjigje