Një nga mediat më të mëdha sportive në Francë, “L’Equipe”, i ka kushtuar një artikull të veçantë Kilian Mbapesë në numrin e saj të fundit, duke raportuar për një situatë të vështirë të sulmuesit te Reali i Madridit.
Sipas gazetës, Mbape po përjeton një periudhë gjithnjë e më të izoluar në ambientet e klubit madrilen. Raportohet se ai komunikon kryesisht me lojtarët francezë, ndërsa pjesa tjetër e grupit thuhet se ka krijuar distancë ndaj tij.
Artikulli sugjeron se lojtari “po paguan” për sjelljen e tij së fundmi dhe nuk konsiderohet më një pikë e sigurt referimi për ekipin, veçanërisht pas zhvillimeve të javës së fundit.
Një ndër episodet që ka ngjallur reagime lidhet me dëmtimin që e la jashtë ndeshjes ndaj Espanjolit. Pavarësisht kësaj, Mbape udhëtoi drejt Italisë së bashku me partneren e tij, Ester Esposito. Publikimi i videove dhe fotove nga ky udhëtim ka shkaktuar pakënaqësi te tifozët, të cilët kanë reaguar në rrjetet sociale, duke kërkuar edhe largimin e tij nga klubi.
Marrëdhëniet me drejtuesit e klubit thuhet se janë përkeqësuar më tej pas një tjetër episodi, ku lojtari u paraqit me rreth 45 minuta vonesë në një drekë të organizuar nga klubi.
Lini një Përgjigje