TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Korrik 2026, 17:18

Nga Tirana në Athinë: Shqiptarët kërkojnë një ndryshim të vërtetë pas 36 viteve zhgënjim

Shkruar nga Sophia Potsi

Nga Tirana në Athinë: Shqiptarët kërkojnë një

Kryeministri Edi Rama ka anuar drejt këtij kornizimi, duke pretenduar se revolta është pjesë e një “lufta hibride” dhe se pas saj qëndrojnë aktorë të sponsorizuar nga shtete të huaja, përfshirë Iranin, grupe anti-izraelite dhe kundërshtarë të Trump-it...

Ajo që nisi si një protestë kundër zhvillimit të diskutueshëm të Sazanit është shndërruar në një lëvizje që ka mobilizuar shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Në Athinë dhe qytete të tjera evropiane, diaspora po i bashkohet kërkesave për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi të ardhmen e Shqipërisë.

Njerëzit kanë dalë në rrugë në Shqipëri prej më shumë se një muaji tashmë. Ajo që nisi si një protestë për shqetësimet mjedisore ndaj një resorti luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Trump, është shndërruar në një lëvizje masive kundër qeverisë, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

Historia fillon me një plan zhvillimi për lagunën e Vjosë-Nartës, një zonë ligatinore e mbrojtur në bregdetin Adriatik të Shqipërisë, dhe ishullin e pabanuar pranë saj, Sazanin, diku rnjë bazë ushtarake sekrete e epokës sovjetike, që tani synohet të kthehet në një kompleks turistik luksoz.

Projekti thuhet se vlen mbi 1 miliard euro dhe është i lidhur me Affinity Partners, kompania e investimeve përmes së cilës biznesmeni amerikan Jared Kushner po merr në dorëzim Sazanin. Ajo u themelua për të përdorur kapitalin e Arabisë Saudite për të lehtësuar investimet midis Izraelit dhe botës arabe.

Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, kanë folur publikisht për vizionin e tyre për këtë zonë: një turizëm i nivelit të lartë, një marinë jahtesh, qendra SPA, si dhe restorante ekskluzive, duke shndërruar këtë vijë bregdetare të pacënuar në një destinacion me pesë yje.

Për qeverinë shqiptare, kjo u paraqit si një mundësi historike, një investim strategjik që do ta vendoste vendin në hartën e destinacioneve kryesore të Mesdheut dhe do të sillte kapitalin e huaj aq të nevojshëm në një ekonomi në vështirësi.

Rama shkoi deri aty sa ta krahasonte projektin me rastin e Greqisë me Costa Navarino-n, një krahasim që nuk qëndron dhe aq. Për shumë shqiptarë, projekti ngriti menjëherë alarmin e kuqe. Përpara se të fillonin punimet, nuk pati asnjë vlerësim publik të ndikimit mjedisor.

Grupet mjedisore dhanë alarmin dhe kërkuan pezullimin e menjëhershëm të projektit. Vjosë-Narta është një nga habitatet më të rëndësishme të folezimit dhe shtegtimit në Mesdhe dhe shtëpia e një prej kolonive kryesore të flamingove në rajon, të cilët u kthyen edhe në simbolin e protestave.

Shkëndija për të gjithë këtë erdhi më 30 maj, kur një video nisi të qarkullonte në rrjetet sociale, duke treguar një protestues që tërhiqej zvarrë në plazhin e Zvërnecit nga rojet private të sigurisë. Pamjet u përhapën brenda pak orësh.

Pothuajse brenda natës, kauza ndryshoi drejtim. Ajo nuk ishte më thjesht një betejë për flamingot dhe ligatinat. U kthye në një luftë se kush e kontrollon hapësirën publike, kush jep llogari para kujt, dhe nëse qytetarët e thjeshtë kanë ndonjë fjalë për të thënë se çfarë ndodh me bregdetin e tyre. Në një shkallë më të gjerë, debati kaloi te transparenca, korrupsioni dhe demokracia.

Në mënyrë spontane, demonstruesit pushtuan rrugët duke thirrur “Shqipëria nuk është në shitje!”. Pjesëtarë të diasporës shqiptare udhëtuan drejt Tiranës për të marrë pjesë në marshime, duke krijuar turma të mëdha që vendi nuk i kishte parë prej dekadash. Mbulimi mediatik ndërkombëtar e ka kornizuar këtë lëvizje si “historia Kushner-Trump” dhe si një përpjekje e familjes presidenciale për të përfituar nga një marrëveshje biznesi jashtë vendit, ashtu siç ka bërë në të kaluarën.

Kryeministri Edi Rama ka anuar drejt këtij kornizimi, duke pretenduar se revolta është pjesë e një “lufta hibride” dhe se pas saj qëndrojnë aktorë të sponsorizuar nga shtete të huaja, përfshirë Iranin, grupe anti-izraelite dhe kundërshtarë të Trump-it.

Nga ana tjetër, shkrimet e analistëve shqiptarë, si Elton Dusha, e kundërshtojnë këtë narrativë. Ata ia faturojnë ngjarjet aktuale abuzimit sistematik me të drejtat e pronës, mosmarrëveshjeve të pazgjidhura të tokës që datojnë që nga tranzicioni post-komunist, korrupsionit të rrënjosur që përfshin të dyja partitë kryesore politike në Shqipëri, dhe një krizë ekonomike që po i shtyn të rinjtë e vendit drejt emigrimit, ndërkohë që popullsia po plaket me shpejtësi.

Përtej kësaj analize, vlen të përmendet fakti se pensioni mesatar në Shqipëri është rreth 180-230 euro, ndërsa shpenzimet minimale të jetesës llogariten rreth 700-1000 euro. Për më tepër, protestat nuk kanë mbetur brenda kufijve të Shqipërisë.

Ato janë përhapur në të gjithë Evropën, veçanërisht brenda diasporës. Në Greqi, emigrantët shqiptarë janë mbledhur në Sheshin Sintagma në qendër të Athinës, duke zënë një cep të sheshit, duke kaluar mikrofonin dorë më dorë dhe duke u dhënë zë të njëjtave ankesa që po gjallërojnë turmat në Tiranë.

Bisedat atje janë të ngarkuara me zemërim, por edhe me diçka më të qetë dhe më personale: histori largimi, kujtime për njerëzit që lanë pas dhe përpjekja e gjatë e rraskapitëse thjesht për të mbijetuar në një vend të huaj.

Shqiptarët përbëjnë komunitetin më të madh të emigrantëve në Greqi, duke pasur mbërritur në numër të madh në fillim të viteve 1990 pas rënies së regjimit komunist. Trajtimi që morën nga shteti grek u shoqërua me vonesa të gjata në proceset e rregullimit të dokumenteve dhe legalizimit. Kjo ushqeu shumë stereotipe negative. Shqiptarët në Greqi shpesh u portretizuan si kriminelë në diskursin publik, gjë që lehtësoi shfrytëzimin e tyre si një krah pune i lirë dhe pa dokumente.

Pasojat e asaj periudhe ndihen edhe sot. Një ligj grek për pensionet, i cili kërkon 40 vjet qëndrim të ligjshëm përpara se të njohë të drejtën e plotë të përfitimit, bën që shumë emigrantë shqiptarë të gjeneratës së parë ta gjejnë veten pa asnjë pension, pas një jete të tërë në punë të zezë apo të pasiguruar.

Kjo gjeneratë shqiptarësh karakterizohet në disa mënyra nga një lloj pasiviteti politik. Siç e thekson Ervin Kondakçiu, kjo vjen nga ndërthurja e tre forcave: një “hiper-politizim jopolitik” i ngulitur nga sistemi socialist autoritar përpara se të emigronin; zhgënjimi që pasoi tranzicionin e fillimit të viteve ‘90 drejt kapitalizmit (që kulmoi me kolapsin e firmave piramidale në vitin 1997, rënien e shtetit dhe konfliktin e armatosur); dhe realiteti institucional armiqësor me të cilin emigrantët u përballën më pas në Greqi, i shënjuar nga përjashtimi ligjor, trajtimi arbitrar dhe dhuna.

Në njëfarë mënyre, rezultati ka qenë një gjeneratë e humbur: e paaftë për t’u kthyer plotësisht në Shqipëri, por asnjëherë plotësisht në shtëpinë e vet në Greqinë që i priti. Shumë shqiptarë në Greqi jetojnë në një pasiguri të vazhdueshme, veçanërisht emigrantët më të vjetër, dekadat e punës të të cilëve nuk do të përkthehen kurrë në një pleqëri të siguruar. Ndërkohë fëmijët e tyre tregojnë një histori tjetër.

Të rritur në shkollat greke, folës të rrjedhshëm të gjuhës dhe të integruar në institucionet lokale, gjenerata e re nuk e mbart më atë jetë të pezulluar “midis dy botëve”. Ata janë në pothuajse çdo aspekt, të integruar, pavarësisht se sa i ngadaltë dhe i pabarabartë doli të ishte ky proces.

Protestuesit në Greqi ndryshojnë në moshë, por problemet që ata ngrenë janë të njëjtat. Një nga çështjet që përsëritet vazhdimisht është sistemi shëndetësor publik në Shqipëri. Anabel Haka, e cila tani jeton në Greqi, tregoi se u diagnostikua me kancer, por zbuloi se mjekët në Tiranë ngurruan ta merrnin përsipër rastin e saj.

Ajo tha se kaloi tre vjet duke u përballur me burokracinë shëndetësore të Shqipërisë dhe duke marrë ilaçee që nuk përputheshin me diagnozën e saj, përpara se të udhëtonte drejt Greqisë, ku mori trajtimin e duhur.

“Dua të shoh ndryshim në Tiranë që të mund të kthehem në vendin tim”, thotë ajo. Rrëfimi i saj pasqyron tendencat më të gjera të dokumentuara nga studiuesit. Shpenzimet për shëndetësinë publike në Shqipëri pësuan rënie të qëndrueshme nga viti 2021 deri në vitin 2024, duke kapur vetëm 2.9 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2024 - niveli më i ulët në rajon.

Gati 59 për qind e kostove shëndetësore në vend paguhen direkt nga xhepi i pacientëve, një barrë që studiuesit e përshkruajnë si të papërballueshme për shumë familje. Protestuesit kanë përmendur gjithashtu mungesat e vazhdueshme të ilaçeve bazë si simptomë të të njëjtave probleme strukturore.

Përshkallëzimi i situatës së Sazanit, ka mbërritur tashmë edhe në dyert e Bashkimit Evropian. Parlamenti Evropian ka shprehur “shqetësime serioze”, pasi mbrojtja e mjedisit dhe sundimi i ligjit mbeten pjesë kryesore e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Për momentin plani është pezulluar, por nuk është anuluar. Njerëzit janë ende në rrugë dhe protestat nuk tregojnë asnjë shenjë rënieje edhe pas 50 ditësh. Deri më tani Rama ka refuzuar të tërhiqet, duke i cilësuar demonstratat si të motivuara politikisht dhe jo si një shprehje e vërtetë e pakënaqësisë popullore.

Se çfarë do të ndodhë më pas mbetet e pasigurt. Qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të anulojë përfundimisht zhvillimin e diskutueshëm të Sazanit apo se do të autorizojë vlerësimet e pavarura që kërkon populli.

Ndërkohë, grumbullimet e diasporës në Sheshin Sintagma vazhdojnë javë pas jave. Ato ngjajnë më pak me një protestë në kuptimin tradicional dhe më shumë me një rit dëshmish: emigrantët e vjetër flasin për pensionet që nuk do t’i marrin kurrë, më të rinjtë flasin për përvojën e rritjes në emigrim, dhe të gjithë së bashku mbështesin dhe frymëzohen nga kauza në atdhe.

Nëse këto demonstrata do të arrijnë të sjellin ndonjë ndryshim konkret, kjo mbetet një pyetje e hapur. Shqipëria ka parë edhe më parë valë zemërimi publik, që në fund u shuan pa ndryshuar trajektoren politike të vendit.

Por shkalla e këtij mobilizimi sugjeron se diçka ndryshe po merr formë, edhe nëse rezultati final nuk është ende i qartë. Për shumë nga njerëzit e mbledhur në shesh, kërkesa është ngushtuar në diçka sa të thjeshtë, aq edhe jetike: që e ardhmja e vendit të mos vendoset pa pasur vetë shqiptarët një fjalë për të thënë./Përshtati "Pamfleti" nga “Unicort Riot”

tiranë protesta

Lini një Përgjigje