
Vjena ka rritur ndjeshëm taksën turistike, duke u renditur si qyteti me taksën e dytë më të lartë në Evropë, pas Amsterdamit. Vendimi vjen në një kohë kur kryeqyteti austriak po regjistron rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve.
Sipas mediave austriake, numri i netëqëndrimeve në Vjenë është rritur nga 8.8 milionë në vitin 2005 në mbi 20 milionë gjatë vitit 2025. Autoritetet synojnë që përmes rritjes së taksës të sigurojnë më shumë të ardhura nga turizmi.
Që nga korriku, taksa turistike është rritur nga 3.2% në 5%, ndërsa nga viti i ardhshëm pritet të arrijë në 8%.
Vendimi ka hasur në kundërshtimin e industrisë së hotelerisë. Shoqata Austriake e Hoteleve (ÖHV) paralajmëron se rritja e taksës mund të ulë konkurrueshmërinë e Vjenës si destinacion turistik.
"Të dëmtojmë burimin nga i cili presim të përfitojmë nuk është kurrë një ide e mirë", deklaroi zëdhënësi i ÖHV-së, Martin Stanits, duke theksuar se hotelet tashmë po përballen me rritje të kostove për energjinë, pagat dhe furnizimet.
Sipas t-online, me normën e re Vjena renditet pas Amsterdamit, i cili aplikon një taksë turistike prej 12.5%.
Shqetësime kanë shprehur edhe agjencitë e udhëtimit. Kreu i tyre në Austri, Gregor Kadanka, argumenton se, krahas taksës turistike, sektorin e rëndojnë edhe tarifa të tjera, përfshirë taksën prej 12 eurosh për biletat ajrore. Sipas tij, kjo mund të nxisë kompani ajrore me kosto të ulët, si Ryanair, të zhvendosin një pjesë të operacioneve drejt Bratislavës, e cila ndodhet rreth 50 kilometra larg dhe ofron kosto më të ulëta.
Nga ana tjetër, administrata e qytetit mbron vendimin. Isabelle Rauter nga WienTourismus deklaroi për Heute se vizitorët përfitojnë nga infrastruktura dhe shërbimet me cilësi të lartë të Vjenës, ndaj është e arsyeshme që të kontribuojnë për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e tyre.
Sipas autoriteteve, të ardhurat shtesë nga taksa do të investohen në përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe urbane, me synimin që përfitimet të reflektohen si në ekonomi ashtu edhe për banorët e qytetit.
Lini një Përgjigje