Shtetet e Bashkuara do të nisin mbrëmjen e së martës bllokadën detare ndaj Iranit, sipas një njoftimi të Qendrës së Përbashkët të Informacionit Detar (JMIC), e cila operon nën drejtimin e Marinës amerikane.
Sipas njoftimit, masa do të hyjë në fuqi në orën 22:00 (ora europiane) dhe do të shtrihet në të gjitha portet iraniane, terminalet e naftës dhe përgjatë gjithë vijës bregdetare të Iranit.
Bllokada do të zbatohet për të gjitha anijet, pavarësisht flamurit që mbajnë.
"Çdo anije që konsiderohet se hyn ose del nga zona e bllokuar pa autorizim do t'i nënshtrohet ndalimit, devijimit të kursit dhe konfiskimit. Anijet që nuk respektojnë urdhrin mund të ndalohen edhe me përdorimin e forcës", thuhet në njoftimin e JMIC.
Qendra amerikane sqaroi se nuk do të pengohet kalimi i lirë i anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit drejt ose nga destinacione jashtë Iranit.
Njoftimi vjen në kulmin e tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA do të marrë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe propozoi vendosjen e një tarife prej 20% për ngarkesat që kalojnë në këtë korridor strategjik detar.
Lini një Përgjigje