Kosova reagon fort pas deklaratës skandaloze nga Snezhana Paunoviç...
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shpallur persona non grata ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, pas deklaratës së saj se, po të kishte pasur lirinë e veprimit të Slobodan Millosheviçit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Përmes një reagimi publik, Sveçla e cilësoi deklaratën e ministres serbe si një rikonfirmim të projektit të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve, duke theksuar se kjo retorikë përfaqëson vazhdimësinë e politikave të regjimit të Millosheviçit.
“Snezana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë, ka rikonfirmuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve. Në epokën tonë, kjo u tentua nga ish-shefi i saj Slobodan Millosheviq, i njohur edhe si kasapi i Ballkanit. Kjo gjuhë dhe kjo aspiratë e shpërfaqur nuk është e re. Ajo është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre”, deklaroi Sveçla.
Ministri i Brendshëm bëri të ditur se ka marrë vendimin për ta shpallur zyrtaren serbe person të padëshiruar në Kosovë.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović e kam shpallur persona non grata, të padëshirueshme, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Sveçla theksoi se epoka e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve ka marrë fund dhe se institucionet e Kosovës do të reagojnë ndaj çdo retorike që cenon sovranitetin e vendit.
“Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. Republika e Kosovës është shtet sovran e demokratik, me institucione të forta që mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e çdo qytetari. Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”, përfundoi Sveçla.
Vendimi vjen një ditë pas deklaratës skandaloze të ministres serbe, e cila tha se, po të kishte pasur lirinë e veprimit të Slobodan Millosheviçit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.
Po Ramoviçi e ka dënuar ministren serbe për spastrimin etnik të shqiptarve të Kosovës. Besoj se jo,sepse ky tradhëtar I urren shqiptarët dhe admiron vëlla Vuçiçin.