Ish-shefi i stafit në Departamentin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Miles Taylor, argumenton se vdekja e papritur e senatorit kërkon një hetim të plotë federal. Edhe pse gjetjet paraprake mjekësore tregojnë për shkaqe natyrore, videot propagandistike dhe kërcënimet e hapura nga Irani dhe Rusia ngrenë dyshime serioze. Sipas tij, zbardhja e plotë e ngjarjes është e domosdoshme për të parandaluar sulmet e ardhshme nga rivalët gjeopolitikë.
Unë kam qenë një kritik i kahershëm i seenatorit të ndjerë Lindsey Graham, i cili besoj se i tradhtoi vlerat e veta për të fituar miratimin e Donald Trumpit. Gjithsesi, mendoj se rrethanat e dyshimta që rrethojnë vdekjen e tij të papritur - krahas rolit të tij të rëndësishëm në disa prej konflikteve më të rrezikshme në botë - mjaftojnë për të kërkuar një hetim të plotë qeveritar.
Për të qenë të qartë që në fillim: deri më tani s’ka asnjë provë për ndonjë ndërhyrje keqdashëse. Gjetjet paraprake të mjekut ligjor në Uashington flasin për një çarje të aortës të shkaktuar nga sëmundja kronike e zemrës - një vrasës i heshtur që shpesh godet pa paralajmërim.
Vetë babai i Grahamit vdiq nga një atak në zemër në gjumë, në moshën 69-vjeçare. Ka shumë mundësi që shkaqet natyrore të jetë e gjithë historia. Por vetëm pak orë pas ndarjes nga jeta të 71-vjeçarit, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Një kanal propagande i lidhur me qeverinë iraniane u duk sikur mori autorësinë e ngjarjes.
Kjo llogari shpërndau një video të krijuar me inteligjencë artificiale në stilin Lego, ku shfaqej një figurë me kapuç që futej fshehurazi në shtëpinë e senatorit natën dhe i shkaktonte një krizë kardiake fatale, duke pasqyruar me një saktësi rrëqethëse mënyrën se si vdiq Graham. Videoja përfundon me emrin e “Lindsey-t” që fshihet nga një listë vrasjesh, ndërsa poshtë tij shihej edhe një emër tjetër. Në video pyetej se kush e kishte radhën. Ndërkohë, prezantuesit e televizionit shtetëror buzëqeshnin teksa jepnin lajmin e vdekjes së tij.
Pasditen e së hënës, dy ditë pas vdekjes së senatorit, agjentët e FBI-së zbarkuan në shtëpinë e tij në Capitol Hill. Dëshmitarët përshkruan të paktën pesë agjentë që hynin e dilnin nga rezidenca, disa prej tyre me doreza lateksi, ndërsa hetuesit merrnin në pyetje fqinjët.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se byroja ka vënë në dispozicion të hetimit çdo burim të nevojshëm, ndonëse një burim nga organet e rendit këmbëngul se asgjë deri më tani nuk sugjeron për ndonjë krim.
Drejtori i FBI-së i emëruar nga Trumpi - një person që unë gjithashtu e kam kritikuar shpesh - bëri këtë herë gjënë e duhur. Kur kundërshtarët e Amerikës festojnë hapur vdekjen e një senatori dhe lënë të kuptohet se kanë gisht në të, një hetim serioz dhe transparent është i domosdoshëm për ta përjashtuar këtë mundësi në mënyrë të plotë dhe të besueshme.
Graham ishte lobuesi kryesor i luftës me Iranin. Ai ishte në mesin e një grupi të vogël amerikanësh që mbajnë përgjegjësinë më të madhe për trazirat më të rënda në atë vend që nga revolucioni i vitit 1979. Ai kërkoi masa më agresive dhe punoi për të bindur administratën që të mos tërhiqej nga konflikti.
Si kundërpërgjigje, Teherani e vuri atë drejtpërdrejt në shënjestër dhe e kërcënoi me vrasje duke ia përmendur hapur emrin. Vetëm pak ditë para se të vdiste, Graham po i shpërfillte publikisht këto kërcënime në rrjetet sociale.
Ndoshta këto tallje janë thjesht mburrje, një propagandë oportuniste për të marrë meritën e një vrasjeje që Teherani nuk e kreu kurrë. Por kur një fuqi e huaj armiqësore, e cila ka kërcënuar hapur se do të vrasë një senator amerikan në detyrë, publikon një video ku lë të kuptohet se bëri pikërisht këtë, e vetmja përgjigje e duhur është një hetim i përmasave të mëdha.
Dhe Irani nuk ishte i vetmi që e donte Grahamin jashtë loje. Rusët kishin vite që dëshironin mënjanimin e tij. Graham vdiq rreth një ditë pas kthimit nga Kievi - vizita e tij e dhjetë në Ukrainë në kohë lufte - ku qëndroi krah Volodymyr Zelensky-t, vizitoi një fabrikë dronësh dhe njoftoi se Shtëpia e Bardhë më në fund kishte rënë dakord të mbështeste projektligjin e tij të sanksioneve.
Ky ligj do t’i jepte presidentit Trump fuqi të reja e të jashtëzakonshme për të ndëshkuar vendet që financojnë makinerinë e luftës së Moskës. “Kjo do të thotë se do të bëhet ligj”- deklaroi Graham. Tridhjetë e gjashtë orë më vonë ai ishte i vdekur, dhe projektligji humbi arkitektin e tij kryesor pikërisht në momentin kur pritej të miratohej.
Propagandistët e Moskës nuk i kanë fshehur kurrë qëllimet e tyre. Në vitin 2023, drejtuesja e rrjetit RT të Kremlinit fliste në televizionin shtetëror për dërgimin e një skuadre vrasësish për të hequr qafe Graham. Ajo përmendi spiunin sovjetik që organizoi vrasjen e Leon Trockit me një çekiç në Meksikë në vitin 1940, duke shtuar se kjo nuk do të ishte e vështirë as ketë herë, pasi rusët e dinin adresën e shtëpisë së tij.
Këtë fundjavë, po të njëjtët propagandistë u gëzuan në transmetim të drejtpërdrejtë për vdekjen e tij, ku njëri prej tyre u shpreh se ishte e vështirë të parashikohej se kush e kishte radhën për të vdekur. Për më tepër, senatori vdiq pikërisht në vendin për të cilin ajo e kishte kërcënuar: në shtëpinë e tij.
Unë nuk e ngre këtë hipotezë thjesht si një vëzhgues i jashtëm. Gjatë administratës së parë Trump, ndihmova në udhëheqjen e përgjigjes së SHBA-së ndaj sulmit të vitit 2018 në Salisbury, kur oficerët e inteligjencës ushtarake ruse udhëtuan drejt qytetit të qetë anglez dhe helmuan Sergei Skripal, një ish-oficer i inteligjencës së Moskës që spiunonte për Britaninë së bashku me të bijën.
Ata përdorën një agjent nervor ushtarak, të krijuar posaçërisht për të mos lënë gjurmë. Plani i qartë i Kremlinit ishte që vdekjet të dukeshin misterioze dhe të pamundura për t’u provuar, duke dërguar gjithsesi një mesazh kërcënues për dezertorët e tjerë.
Ai komplot u zbulua vetëm sepse helmi dështoi të përfundonte punën dhe hetuesit britanikë refuzuan të mjaftoheshin me përgjigje të lehta. Në kundërpërgjigje, SHBA dëboi 60 oficerë të inteligjencës ruse, dëbimi më i madh në historinë amerikane.
Mësimi që na dha Salisbury është se operacione të tilla zbulohen vetëm kur hetuesit veprojnë shpejt dhe me vendosmëri. Një krizë kardiake te një burrë 71-vjeçar, me histori familjare të sëmundjeve të zemrës, mbetet versioni më i mundshëm i asaj që i ndodhi senatorit Graham. Por nëse ekziston qoftë edhe një mundësi e vogël që ky të ketë qenë një akt i qëllimshëm i një fuqie të huaj armiqësore, pasojat ndërkombëtare do të ishin shumë të mëdha. Kjo është arsyeja pse na nevojiten analizat toksikologjike, një rishikim i kundërzbulimit për rrymat e kërcënimit dhe një ekzaminim mjeko-ligjor i ditëve të fundit të senatorit, udhëtimeve të tij dhe shtëpisë ku banonte.
Dhe nuk jam i vetmi që mendoj kështu. Senatori John Cornyn, një republikan që nuk mund ta quash kurrsesi konspiracist, pranoi këtë javë se çarja e aortës mund të shpjegojë vdekjen e Grahamit, por sërish u bëri thirrje zyrtarëve që “t'i japin përgjigje gjithë pikëpyetjeve duke parë se çfarë do të tregojnë raportet e toksikologjisë”.
Ai ka të drejtë. Dhe nuk do të bënim mirë që t’i hidhnim poshtë këto shqetësime, vetëm sepse disa nga zërat më të zhurmshëm që i ngrenë ato janë njerëz si Laura Loomer, e njohur për promovimin e teorive absurde konspirative.
E theksoj unë nuk kisha ndonjë simpati për Lindsey Graham. E pashë të sakrifikonte parim pas parimi për të fituar pëlqimin e Donald Trumpit, dhe e kam quajtur këtë me emrin që meriton: burracakëri. Nuk do ta zbus këtë gjykim as tani që ai nuk jeton më.
Por Graham u zgjodh nga populli i Karolinës së Jugut dhe pavarësisht bindjeve politike, çdo qytetar duhet të jetë njëlloj i tmerruar nga ideja se një qeveri e huaj mund të kërcënojë udhëheqësit tanë të zgjedhur, e lëre më pastaj t’i godasë ata.
Asgjë nga këto nuk është e pamendueshme. Në vitin 1983, Bashkimi Sovjetik rrëzoi një avion pasagjerësh ku udhëtonte kongresmeni Larry McDonald nga Xhorxhia, duke e vrarë atë së bashku me më shumë se 260 të tjerë.
Shumica e amerikanëve nuk e dinë këtë. Të shtiresh sikur kjo nuk mund të ndodhë më, nuk është skepticizëm. Është amnezi. Nëse një hetim i plotë nuk zbulon asgjë, edhe vetë ai përfundim do të ketë vlerë.
Do t’u mohojë armiqve tanë fitoren propagandistike të paqartësisë dhe do t’i demaskojë si qesharake pretendimet e tyre. Por, nëse zbulohet se një dorë e huaj ka qenë e përfshirë në vdekjen e një senatori të Shteteve të Bashkuara, pasojat duhet të jenë shkatërruese.
Ato duhet të jenë të shpejta, publike dhe aq të rënda, saqë asnjë kundërshtar të mos e ngatërrojë më kurrë një certifikatë zgjedhore amerikane me një listë shënjestrash për vrasje.
Çdo gjë më pak se kjo, do të ishte thjesht një ftesë për të vazhduar me aktivitete të tilla. /Përshtatur nga “The i Paper”
Lini një Përgjigje