Elisabeta Mataj akuzon shefen e financës dhe arkëtaren për vjedhje dhe falsifikim dokumentesh.
Një zhvillim i ri ka dalë në dritë lidhur me skandalin financiar në filialin e Postës Shqiptare në Durrës. Mësohet se një ditë para shkarkimit, drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, kishte depozituar një kallëzim penal në Prokurori, të dërguar me postë, ku akuzonte shefen e financës, V.D, dhe arkëtaren P. D., për vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim dokumentesh.
Në kallëzimin e saj, Mataj pretendon se kishte sinjalizuar që në muajin mars Administratorin e Përgjithshëm të Postës Shqiptare për veprime që i konsideronte abuzive nga ana e shefes së financës dhe arkëtares, duke kërkuar edhe marrjen e masave administrative ndaj tyre. Ajo mohon të ketë pasur akses në tërheqjen e fondeve nga arka e filialit apo nga filialet bankare.
Megjithatë, një ditë më pas, vetë drejtoresha u shkarkua nga detyra dhe u kallëzua në Prokurori nga Posta Shqiptare, pas një kontrolli të brendshëm që evidentoi parregullsi në administrimin e fondeve të shërbimeve të pagesave.
Sipas burimeve, gjatë verifikimeve është konstatuar mungesa e rreth 700 mijë eurove në fondin e filialit, shumë që dyshohet të jetë përvetësuar. Ndërkohë, hetimet paraprake flasin për një dëm ekonomik që mund të arrijë deri në 3 milionë euro, ndërsa vlera e saktë pritet të përcaktohet nga hetimet e Prokurorisë.
Posta Shqiptare ka bërë të ditur se, pas përfundimit të kontrollit, janë marrë masa administrative ndaj punonjësve të përfshirë dhe është depozituar kallëzim penal në organin e akuzës.
Në vijim të zhvillimeve, mësohet se ka paraqitur dorëheqjen edhe drejtuesja e sektorit të financës, Valbona Hoti Duni.
Elisabeta Mataj mori drejtimin e filialit të Postës Shqiptare në Durrës në tetor 2025, duke zëvendësuar Etleva Budinin, e cila u largua nga detyra pasi fitoi mandatin e deputetes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Tashmë, Prokuroria pritet të hedhë dritë mbi përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë dhe të përcaktojë vlerën reale të dëmit ekonomik të shkaktuar në filialin e Postës Shqiptare në Durrës.
Lini një Përgjigje