Drita është eliminuar nga Liga e Kampioneve, pasi u mposht me rezultatin 3-2 nga Kauno Zalgiris në ndeshjen e kthimit të turit të parë kualifikues.
Pas barazimit 1-1 në takimin e parë në transfertë, kampionët e Kosovës hynë në fushë si favoritë për të siguruar kualifikimin. Megjithatë, ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh, duke shfrytëzuar një pasiguri në mbrojtjen e Dritës.
Reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm. Jashari riktheu ekuilibrin, ndërsa Manaj përmbysi shifrat, duke krijuar përshtypjen se Drita kishte marrë kontrollin e sfidës dhe ishte pranë kalimit në raundin tjetër.
Gjithsesi, fundi i ndeshjes rezultoi dramatik. Kauno Zalgiris u hodh i gjithi në sulm, barazoi shifrat dhe në minutat shtesë fitoi një penallti pas ndërhyrjes së VAR-it, që konstatoi një prekje të topit me dorë brenda zonës. Nga pika e bardhë, Benshaib nuk gaboi, duke vulosur fitoren 3-2 dhe kualifikimin e skuadrës lituaneze.
Me këtë eliminim, Drita i jep lamtumirën Ligës së Kampioneve, por do të vazhdojë rrugëtimin europian në raundin e ardhshëm të Ligës së Konferencës.
Lini një Përgjigje