Folarin Balogun ka folur për herë të parë për polemikat që shoqëruan anulimin e skualifikimit të tij gjatë Kupës së Botës. Në një intervistë për “CBS”, sulmuesi i Shteteve të Bashkuara pranoi se e kishte kuptuar që vendimi i FIFA-s do të sillte reagime të shumta.
Balogun u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e 1/16-ve të finales ndaj Bosnjës dhe fillimisht u pezullua. Megjithatë, FIFA vendosi të anulonte skualifikimin, duke i hapur rrugën aktivizimit të tij në përballjen ndaj Belgjikës. Më vonë u raportua se presidenti amerikan Donald Trump kishte telefonuar presidentin e FIFA-s, Xhani Infantino, për të kërkuar rishikimin e çështjes.
“Reagimi im i parë ishte gëzimi që u riktheva në skuadër. Por, pasi nisa ta mendoja më mirë, e kuptova se ky vendim do të ngjallte shumë polemika. Madje, pata përshtypjen se edhe mes shokëve të skuadrës kishte një lloj tensioni, pasi bëhej fjalë për një situatë krejtësisht të pazakontë”, u shpreh Balogun.
Sulmuesi amerikan këmbënguli se ndërhyrja ndaj Muharemoviç në sfidën me Bosnjën nuk meritonte karton të kuq. Ai tregoi gjithashtu se zhurma mediatike ndikoi edhe në përgatitjet për ndeshjen kundër Belgjikës.
“U përpoqa të përqendrohesha sa më shumë që afrohej ndeshja, por nuk ishte e lehtë. Kishte shumë zhurmë nga jashtë dhe ishte e vështirë ta injoroje atë”, përfundoi Balogun.
Lini një Përgjigje