Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që Izraeli të nisë tërheqjen e trupave të tij nga Siria dhe Libani, raportoi Axios, duke cituar burime të informuara.
Sipas raportit, mesazhi u përcoll gjatë një bisede telefonike mes dy liderëve të zhvilluar të enjten e kaluar.
Trump i ka thënë Netanyahut se prania e ushtrisë izraelite në territorin sirian po krijon tensione dhe mund të çojë në një përshkallëzim të ri të konfliktit.
"Nuk ju duan atje. Duhet t'i ripoziciononi trupat", citohet të ketë thënë Trump, sipas një zyrtari amerikan.
Ndërkohë, në një postim në rrjetin social Truth Social, presidenti amerikan deklaroi se SHBA-ja po fiton përballë Iranit dhe se operacionet ushtarake kanë garantuar lëvizjen e naftës në rajon.
"Nafta po rrjedh si kurrë më parë falë fuqisë së jashtëzakonshme të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara", shkroi Trump, duke falënderuar Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, shefin e Shtabit të Përgjithshëm Dan Caine dhe komandantin e CENTCOM, Brad Cooper.
Trump shtoi se administrata e tij i ka dhënë fund periudhës kur, sipas tij, Irani ishte përgjegjës për vrasjen e qindra mijëra njerëzve.
"Amerika po fiton sërish, po fiton si kurrë më parë. Kanë marrë fund ditët kur Irani vriste qindra mijëra njerëz, përfshirë 52 mijë protestues. Dhe, më e rëndësishmja, Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore", shkroi presidenti amerikan.
Lini një Përgjigje