Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, ka komentuar protestën qytetare që prej 45 ditësh zhvillohet para Kryeministrisë, duke u shprehur se ajo nuk duhet parë si pengesë për procesin e integrimit europian, por si një mundësi për të dëgjuar zërin e qytetarëve.
E ftuar në emisionin "Repolitix" në Report TV, Spahiu tha se nga protesta duhet të merren elementët pozitivë dhe kërkesat që, sipas saj, mund t'i shërbejnë punës së Parlamentit.
“Ne duhet të marrim nga protesta elementët që i shërbejnë vendit. Mendoj duke parë çfarë është pozitive nga protesta, cili është zëri që duhet dëgjuar dhe i shërben vendit. Nëse ne jemi bashkëpunues me ata që kërkojnë bashkëpunim, jo mohim, besoj se kjo do t’i shërbejë maksimalisht procesit të integrimit. Nuk mund ta lexoj protestën si pengesë, por do të vlerësoja pjesën pozitive të qytetarëve, zërin që shërben si nisma për parlamentin”, u shpreh Spahiu.
Ajo kritikoi gjithashtu vendimin e opozitës për të braktisur Kuvendin, duke e cilësuar atë një zhvillim negativ në një moment kur Shqipëria synon përparimin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Qasja e opozitës më krijon ndjesi jo pozitive. Braktisja e parlamentit në këtë moment është diçka negative. Është komplet ndryshe nëse kalon një projektligj dhe zhvillon një seancë parlamentare ku dëgjohet zëri i opozitës dhe i mazhorancës”, tha ajo.
E pyetur për pretendimet e opozitës se nuk ka hapësirë për debat në Kuvend, pasi sipas saj kryeministri Edi Rama nuk u përgjigjet interpelancave, Spahiu tha se kjo nuk duhet të shërbejë si arsye për të refuzuar bashkëpunimin.
“Ky është një proces që kërkon bashkëpunim, ndaj unë insistoj që e kërkojmë bashkëpunimin me opozitën. Ky është proces që do edhe shpejtësi, është ritmi që duhet ndjekur”, u shpreh nënkryetarja e Kuvendit.
Lini një Përgjigje