TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Korrik 2026, 18:16

Këshilli i Kombëtar pa surpriza, kupola e PD nuk ndryshon; ja lëvizjet që priten në mbledhjen e nesërme

Shkruar nga Pamfleti
Këshilli i Kombëtar pa surpriza, kupola e PD nuk ndryshon; ja
Flamur Noka dhe Sali Berisha

Berisha konsolidon ekipin besnik në krye të PD-së…

Dy muaj pasi u rizgjodh pa garë në krye të Partisë Demokratike, Sali Berisha është gati të vulosë edhe ekipin e ri drejtues. Por në vend të ripërtëritjes së premtuar, gjithçka të çon te një përfundim: kupola mbetet pothuajse e njëjtë.

Mbledhja e nesërme e Këshillit Kombëtar pritet të formalizojë strukturën e re drejtuese të PD-së, me shumicën e figurave kyçe që pritet të rikonfirmohen në postet më të rëndësishme.

Në qendër të vëmendjes është posti i Sekretarit të Përgjithshëm. Flamur Noka pritet të rikandidojë për mandatin e dytë si numri dy i Partisë Demokratike. Statuti kërkon që ai të ketë një rival, por vetëm pak orë para votimit askush nuk e di zyrtarisht se kush do të jetë kandidati përballë tij.

Kjo do të thotë se anëtarët e Këshillit Kombëtar do të votojnë pa pasur kohë të njihen me alternativat, pa debat publik dhe pa asnjë fushatë të brendshme.

Edhe në postet e tjera nuk priten surpriza të mëdha. Gazment Bardhi do të vazhdojë të drejtojë grupin parlamentar, ndërsa Agron Gjekmarkaj mbetet nënkryetar i Kuvendit. Sipas statutit të PD-së, të dy e marrin automatikisht statusin e nënkryetarit të partisë.

Ndryshimet priten vetëm te zgjerimi i listës së nënkryetarëve. Luçiano Boçi rikandidon për një tjetër mandat, ndërsa në garë pritet të futen edhe Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Erisa Bajaziti, kjo e fundit një emër i ardhur nga diaspora demokrate. Nga ana tjetër, Oerd Bylykbashi nuk do të rikandidojë për postin e nënkryetarit.
Lëvizje priten edhe në sekretariate. Ivi Kaso ka njoftuar publikisht se largohet nga posti i Sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, funksion që e ka mbajtur për më shumë se një dekadë dhe ku ishte figura kryesore e PD-së në marrëdhëniet me KQZ-në dhe proceset zgjedhore. Në vend të tij pritet të promovohet një emër i ri.
Por ajo që ka ndezur debat brenda Partisë Demokratike nuk janë emrat, por mënyra si po zhvillohet procesi.

Ashtu si ndodhi edhe me zgjedhjen surprizë të Julia Emirit në krye të Këshillit Kombëtar, kandidatët për postet më të rëndësishme po mbahen të fshehtë deri në momentin e votimit.

Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të ish-deputetit Myslim Murrizi. Ai kërkon që emrat të bëhen publikë disa ditë përpara mbledhjes, në mënyrë që anëtarët e Këshillit Kombëtar të kenë mundësi të njihen me kandidatët dhe ata vetë të zhvillojnë fushatë brenda partisë.

"Nuk e di pse mbahet gjithçka sekret deri në minutën e fundit. Edhe listat e deputetëve dorëzohen fshehurazi. Çfarë të keqe do të sillte që kandidatët të bënin tre ditë fushatë?", deklaroi Murrizi.

Ai i dërgoi edhe një mesazh të drejtpërdrejtë Sali Berishës, duke e akuzuar se po promovon njerëz pa mbështetje elektorale, ndërsa lë në hije figura që, sipas tij, kanë vota.

"Ti nuk e do PD fituese nëse urren njerëzit që kanë vota dhe promovon njerëzit që nuk kanë kokërr vote", u shpreh Murrizi.

Në fund, pyetja mbetet e njëjta: a po ndërton Berisha një Parti Demokratike të re, apo thjesht po rikonfirmon gardën e vjetër me disa emra të rinj në role dytësore?

sali berisha këshilli i kombëtar pd

1 Komente

  1. s
    studio

    ky eshte rezultati kur nje parti anashkalon regullat demokratike ...deformon sistemin... dhe partia kthehet ne nje grup mafioz interesash personale dhe farefisnore...ne kurriz te shumices qe anashkalohet.....qe ne kte moment kthehesh dhe behesh i demshem per shumicen, sistemin e kthen ne kancerogjen, dhe e ardhmje vihet ne pikpyetje nese nuk kurron kte kancer kombetar....por smund te vdesi nje komb se duan dy parti te tipit mafioz dhe fajtor per kte jane kupolat ne krye te tyre udhehequr nga pseudo udheheqes perfunduar ne padrino RAMA SALI....

    Lini një Përgjigje