TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Korrik 2026, 17:53

U përplas fizikisht me gazetarin para Kuvendit, reagon Braçe: Më kishin zënë pritë!

Shkruar nga Pamfleti
U përplas fizikisht me gazetarin para Kuvendit, reagon Braçe:
Momenti i përplasjes me gazetarin

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar pas incidentit të ndodhur në hyrje të Kryesisë së Kuvendit, ku u përfshi në një përplasje fizike me një gazetar.

Braçe pretendon se ai dhe kolegë të tjerë të PS-së ishin vënë në shënjestër nga një person, të cilin e cilëson si "sulmues", dhe se gazetari ishte në bashkëpunim me të.

Sipas Braçes, më herët gjatë ditës i njëjti person kishte sharë dhe ofenduar deputetët socialistë Sara Mile dhe Ervin Hoxha, ndërsa gazetari, sipas tij, kishte filmuar ngjarjen.

Deputeti thotë se, kur u kthye në hyrje të Kuvendit, pa gazetarin dhe personin në fjalë të afroheshin drejt tij.

"Kam zgjatur dorën për të krijuar distancë me gazetarin, ndërkohë që sulmuesi po vinte ngjitur me të duke sharë. Po, e kam shtyrë pasi më erdhi në fytyrë", shkruan Braçe.

Ai shton se i ka thënë gazetarit se nuk kishte më punë me të nëse, sipas tij, "del në pritë me sulmues", ndërsa pranon se iu drejtua personit tjetër me fjalë të papërshtatshme.

Në reagimin e tij, Braçe shprehet se nuk ndjen detyrim të kërkojë ndjesë, duke argumentuar se gazetari dhe personi që ai akuzon për sulm janë bërë "një".

"Unë e kam pjesë të brendshme të kërkoj ndjesë. Po kujt t'i kërkoj ndjesë, gazetarit apo sulmuesit? U bë kohë që janë një", shkruan deputeti.

Reagimi i Erion Braçes:

E kam nisur ditën sot në orën 07:30. Kam qenë në zyrë, në Kuvend. Kam dalë prej aty dhe kam shkuar në terren, rreth orës 08:30, nëpër lagjet e Njësisë 5. Jam kthyer sërish në Kuvend dhe kam parë grupin e sulmuesve pranë dyerve të tij, mu siç janë çdo ditë e darkë në bulevard.

Jam ngjitur lart në zyrë dhe kam parë një video (e keni në vijim), ku sulmuesi dhe gazetari, të dy bashkë, sulmuan dy deputetë, Sara Milen dhe Ervin Hoxhën. E keni këtu videon: duket sulmuesi që shan, fyen, ofendon dhe gazetari që e filmon sipas planit: "Populli sulmon deputetët".

Nga dritaret e zyrës sime kam dëgjuar zhurmë poshtë, te dera e Kuvendit. Pas pak, përballë derës së tij, kam parë gazetarin dhe sulmuesin bashkë, duke biseduar për një tjetër plan (e keni videon e tyre këtu).

Kam dalë jashtë për të takuar njerëzit që po më prisnin. Jam kthyer përsëri në Kuvend dhe kam parë në të njëjtin vend gazetarin dhe sulmuesin. I pashë të çoheshin dhe të suleshin drejt meje, siç vepruan ndaj dy kolegëve të mi dy orë më parë.

Kam zgjatur dorën për të krijuar distancë me gazetarin, ndërkohë që sulmuesi po vinte ngjitur me të duke sharë; dëgjohet në videon e tij.

I kam thënë gazetarit, që e kam respektuar në çdo rast, se kur del në pritë me sulmues, nuk ke punë me mua. Po, e kam shtyrë, pasi më erdhi në fytyrë. Sulmuesi vijonte të shante dhe i jam kthyer me fjalë të papërshtatshme, por të merituara për cilindo që merr përsipër të sulmojë e linçojë një tjetër njeri. S'ka pikë rëndësie mandati, njeri po them.

Me një ndryshim këtu: nuk i kam thënë unë një cilësor që dëgjohet; veç ai ta thotë për veten e tij.

Kaq është e gjitha. Unë vijova punën. Kam qëndruar te dera e Kuvendit edhe dy herë të tjera për t'iu përgjigjur njerëzve që më kërkonin. I fundit ishte një qytetar nga Burreli që kërkonte ndihmë për ilaçe në QSUT.

Edhe një gjë:

Unë e kam pjesë të brendshme të kërkoj ndjesë. Po kujt t'i kërkoj ndjesë, gazetarit apo sulmuesit? U bë kohë që janë një: sulmues e të dhunshëm, një!

Ndajeni: ose bëni gazetarin, ose bëni sulmuesin në pritat që i bën gazetari.

Këtu keni videon e sulmit ndaj kolegëve të mi. Keni edhe videon e gazetarit dhe sulmuesit bashkë, në pritë, në Kuvend.

 

erion braçe perplasja me gazetarin kuvendi

2 Komente

  1. s
    studio

    me mire mafioz veshur me kostum keqberesi qe te shohin te gjith dhe e kuptojne se kush je ti...dhe mbijeton ndoshta jo ndershmerisht...(e desnushme gjithsesi) ....sja urojme askujt...se sa nje politikan me kollare qe dukesh si engjell por brenda je nje mafioz qe vjedh ligjerisht e kthen politiken qe duhet ti sherbeje njerzve ne nje afere personale apo te nje grupi pakice dhe je me i demshem per nje komb se ai qe e ben per mbijetese personale gjithsesi aspak e keshillushme....

    Lini një Përgjigje