TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Korrik 2026, 16:14

Deklarata skandaloze për Kosovën, PD kërkon shpalljen "non grata" të ministres serbe Paunoviç!

Shkruar nga Pamfleti
Deklarata skandaloze për Kosovën, PD kërkon shpalljen "non
Partia Demokratike

Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, lidhur me Kosovën, duke kërkuar shpalljen e saj "non grata" dhe paditjen për nxitje të gjenocidit.

PD e cilëson deklaratën raciste, antishqiptare dhe në kundërshtim me parimet themelore të të drejtave të njeriut.

Sipas demokratëve, deklarata e Paunoviç, ku ajo shprehet se "po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën", përbën një glorifikim të politikave të regjimit të Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë.

Partia Demokratike shkruan se ministrja serbe "shpreh keqardhje që Sllobodan Millosheviçi nuk arriti të dëbonte shqiptarët nga trojet e tyre", duke e cilësuar këtë një qëndrim që nxit urrejtje dhe bie ndesh me vlerat universale të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Po ashtu, PD kritikon edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare, duke pretenduar se nuk ka reaguar ndaj deklaratave të tilla.

"Në reagimin zyrtar, Partia Demokratike dënon me forcë deklaratën raciste dhe antishqiptare të përfaqësueses së qeverisë serbe, si edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare përballë deklaratave të tilla çnjerëzore dhe nxitëse të urrejtjes, të cilat bien ndesh me parimet themelore të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut", thuhet në deklaratë.

Në përfundim, Partia Demokratike kërkon që Snezhana Paunoviç të shpallet "non grata" dhe të ndiqet penalisht për nxitje të gjenocidit, duke i cilësuar këto si masat e vetme që, sipas saj, duhet të ndërmerren ndaj ministres serbe.

snezhana paunoviç pd

Lini një Përgjigje