Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të martën se SHBA do të zgjerojë operacionet ushtarake kundër Iranit dhe do të vazhdojë ta godasë vendin "shumë fort" derisa Teherani të rikthehet në tryezën e negociatave. Ai akuzoi autoritetet iraniane se kanë shkelur vazhdimisht marrëveshjet e arritura.
"Do t'i godasim shumë fort sonte. Do t'i godasim fort nesër në mbrëmje. Do t'i godasim shumë fort edhe natën tjetër", tha Trump në një intervistë për Fox News.
Sipas Trump, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka kryer një seri sulmesh pranë Ngushticës së Hormuzit gjatë ditëve të fundit dhe operacionet do të vazhdojnë derisa ai të vendosë se objektivat janë përmbushur.
"Javën e ardhshme situata do të jetë shumë e rëndë për ta. Do të goditen termocentralet. Do të goditen urat. Do t'i shkatërrojmë të gjitha termocentralet dhe të gjitha urat e tyre, nëse nuk ulen në tryezën e negociatave", paralajmëroi presidenti.
Trump i bëri këto komente pasi hoqi dorë nga plani për të vendosur një tarifë prej 20% për të gjitha anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Në vend të kësaj, ai tha se vendet e Lindjes së Mesme janë angazhuar të realizojnë investime dhe marrëveshje tregtare "masive" me Shtetet e Bashkuara.
"Doja të vendosja një tarifë, por ata preferuan të investonin shumë para në Shtetet e Bashkuara. Sinqerisht, kjo është më mirë, sepse nuk më pëlqen ideja e tarifave", tha ai në intervistën e transmetuar në emisionin Special Report.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se SHBA ka rivendosur bllokadën detare ndaj porteve iraniane në zonën e Ngushticës së Hormuzit.
Trump tha se përfaqësues amerikanë kanë zhvilluar së fundmi kontakte me negociatorët iranianë, por shprehu zhgënjim për atë që e cilësoi si prirjen e Teheranit për të mos respektuar marrëveshjet.
"Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Por sa herë që arrijnë një marrëveshje, e shkelin atë", u shpreh ai.
Presidenti paralajmëroi se Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pranon të negociojë.
"Më mirë të arrijnë një marrëveshje. Nuk do t'u mbetet asgjë. Po bëjmë kujdes maksimal për popullsinë civile, por u kam thënë: më mirë bëni një marrëveshje, përndryshe nuk do t'ju mbetet asgjë", deklaroi Trump.
Ai tha gjithashtu se objektivat ushtarake të SHBA-së në Iran, përfshirë garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, janë arritur, edhe pse trafiku detar në këtë korridor strategjik kishte rënë ndjeshëm.
"Mendoj se objektivat janë përmbushur. Nëse do të tërhiqeshim tani, atyre do t'u duheshin rreth 20 vjet për të rindërtuar atë që kanë humbur", tha ai.
Në fund të intervistës, Trump vlerësoi atë që e quajti "progres të jashtëzakonshëm" në dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit, duke pranuar megjithatë se vendi ende ruan një nivel të caktuar aftësie luftarake.
"Ata janë dobësuar ndjeshëm. Kanë luftuar fort. Është si një boksier i madh: mendon se e ke mundur, por ai ngrihet dhe të godet përsëri. Ende u ka mbetur pak fuqi për të luftuar, por jo shumë", përfundoi presidenti.
Lini një Përgjigje