TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Korrik 2026, 12:20

Ivi Kaso njofton se nuk do të rikandidojë për Sekretar i Çështjeve në PD: Do t’i përkushtohem detyrës së deputetit

Shkruar nga Pamfleti

Ivi Kaso njofton se nuk do të rikandidojë për Sekretar i

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka bërë të ditur se nuk do të rikandidojë për postin e Sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, duke i dhënë fund një angazhimi 12-vjeçar në këtë funksion, të cilin e ka ushtruar për tre mandate radhazi.

Lajmin e ka bërë publik përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shpjegon se vendimi është marrë për t’iu përkushtuar plotësisht detyrave të tij si deputet, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe nënkryetar i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Në reagimin e tij, Kaso shprehu mirënjohjen ndaj demokratëve për besimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë viteve në këtë detyrë, ndërsa theksoi se një nga arritjet më të rëndësishme të kësaj periudhe ka qenë rikthimi i simboleve dhe flamurit të Partisë Demokratike.

“Pas 12 vitesh dhe 3 mandatesh të njëpasnjëshme në drejtimin e Sekretariatit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të Partisë Demokratike, nuk do të rikadidoj përsëri për të njëjtin pozicion, pasi më duhet të përkushtohem plotësisht në detyrat e deputetit, anëtarit të Kryesisë dhe nën Kryetarit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin, Mbikëqyrjen Institucionale.

Gjatë këtyre 12 viteve, sfidat dhe betejat nuk kanë munguar. Dhe betejën më të vështirë dhe më të rëndësishme, atë të rikthimit tek demokratët të simboleve dhe flamurit të Partisë Demokratike, ne e fituam! Një falenderim shumë i madh për të gjithë demokratët që me shpirtin e tyre të rezistencës dhe sakrificës, e mundësuan këtë fitore histore në kushte tejet të vështira!

Dua të falënderoj gjithashtu Kryetarin e Partisë Prof. Dr. Sali Berishën për besimin që më dha në përmbushjen e kësaj detyre, Sekretarin e Përgjithshëm për mbështetjen, si dhe të gjithë kolegët që më besuan dhe bashkëpunuan me mua në këtë rrugëtim.
Faleminderit nga zemra të gjithëve.“, shkruan Ivi Kaso 

1 Komente

  1. V
    Vertete

    Aman ore mos u perkushtoni shume se mos marrim shpejtesi dhe e kalojme Europen ne 2030! Parazite me kollare!

    Lini një Përgjigje