Aktivisti Gent Progni ka ironizuar ministren e Shëndetësisë gjatë protestës së 45-të para Kryeministrisë, duke iu referuar një denoncimi që ka marrë nga qytetarët për një çantë luksi me vlerë 6 mijë euro.
Sipas Prognit, një familje i kishte raportuar se kishte parë ministren në aeroport me një çantë të shtrenjtë, ndërsa shtoi se kjo kishte bindur edhe qytetarë të tjerë t'i bashkoheshin protestës.
"Më erdhi një denoncim dje nga një familje. Kishin parë ministren e Shëndetësisë në aeroport me një çantë 6 mijë euro. I kishin thënë se sapo kishte shtuar dy njerëz të rinj në protestë vetëm nga kjo çantë, dhe ministrja, me gjithë arrogancën, ishte kthyer duke qeshur. I them faleminderit ministres që na shtove edhe dy të tjerë. Dhe nga ata do të shtohen edhe katër të tjerë.
Gjithashtu, duhet të falënderoj dy influencerat e mi të rinj, Taulant Ballën dhe Sara Milën, të cilët nuk kanë lënë televizion dhe Parlament pa më përmendur. Ua kanë mbushur mendjen edhe atyre skeptikëve që Genti e ka vërtet këtë protestë, kështu që faleminderit shumë.
Sidomos Sara Milës, e cila është aty me votat e kriminelëve që janë në burg. Faleminderit shumë edhe Sara Milës. Gjithashtu, i them ministres së Shëndetësisë, shite atë çantë dhe fute te donacionet që ke kërkuar për spitalet, të bësh edhe një nder.
Faleminderit edhe atyre sufllaqexhinjve që janë mërzitur për atë ligjin ironik të sufllaqeve. Shumë faleminderit që na komentoni negativisht, sepse duke ju lexuar ju, na shtohen edhe më shumë njerëzit.
Dhe sot, duke parë që është edhe gjysmëfinalja e Botërorit, shihni sa shumë njerëz ka këtu. Kur ishim atje te Blloku, ata 20 të rinj protestues që na arrestuan pa të drejtë, sepse i gjuajtëm deputetët me vezë, pyeta një nga policët dhe i thashë: “Kur janë larë për herë të fundit këto batanije?”. Më tha se kanë nja dy muaj. I them Sara Milës, interesohu për ata votuesit e tu atje në burg, t’ua lajnë më shpesh batanijet.
Dhe kam një sugjerim, meqë kemi një grupim jo të vogël që është i shqetësuar për ligjin 21/2024, ta themi edhe ne më shpesh, anuloni ligjin 21/2024, sepse po reagojnë edhe ndërkombëtarët për këtë ligj. Bëni një nder vetes, na bëni edhe neve një nder. Por ne nuk e harrojmë që kërkesa kryesore është: “Rama, jep dorëheqjen!”. Duke dhënë Rama dorëheqjen, më besoni të gjithë gurët e dominosë do bien një e nga një."-u shpreh Progni.
Pas tubimit përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, duke vijuar protestën e 45-të radhazi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, pjesëmarrësit po përshkojnë rrugët kryesore të kryeqytetit.
Gjatë marshimit, protestuesit kanë përsëritur se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kauza e tyre dhe se protestat do të vazhdojnë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
"Nuk dorëzohemi" dhe "Rama ik" janë ndër thirrjet që dëgjohen më shpesh përgjatë itinerarit të protestës, ndërsa pjesëmarrësit shprehen se do të vijojnë të dalin në rrugë çdo javë, derisa, sipas tyre, të ketë një ndryshim në drejtimin e vendit.
Protestuesit kërkojnë që prioritet i qeverisë të jenë arsimi, shëndetësia dhe mirëqenia e qytetarëve, duke kundërshtuar, sipas tyre, shpenzimet për aktivitete që nuk adresojnë problemet e përditshme të shqiptarëve. Mes pankartave dhe thirrjeve është përsëritur edhe mesazhi: "Duam shkolla dhe spitale, jo koncerte."
Pjesëmarrësit akuzojnë qeverinë se ka humbur kontaktin me problemet e qytetarëve dhe pretendojnë se drejtuesit e saj kanë hyrë në politikë për përfitime personale. Këto mbeten qëndrime të shprehura nga protestuesit gjatë tubimit.
Pavarësisht se kjo është protesta e 45-të, organizatorët dhe pjesëmarrësit shprehen se vendosmëria e tyre nuk është zbehur. Përkundrazi, sipas tyre, çdo protestë ka sjellë më shumë qytetarë dhe ka forcuar bindjen se ndryshimi është i mundur.
Ata thonë se vazhdimësia e protestave ka krijuar një frymë më të madhe solidariteti dhe angazhimi qytetar, duke u dhënë shpresë se zëri i tyre do të dëgjohet. Sipas protestuesve, ky është vetëm një hap i radhës i një lëvizjeje që, sipas tyre, do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Një nga protestueset që mori fjalën gjatë protestës së 45-të para Kryeministrisë riktheu në vëmendje koncertin e reperit amerikan Kanye West, të zhvilluar në Tiranë më 11 korrik, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për keqpërdorim të fondeve publike.
Sipas saj, kryeministri "vodhi buxhetin e shtetit", ndërsa pretendoi se 4.2 milionë euro iu dhanë artistit në kundërshtim me Kushtetutën. Protestuesja kritikoi gjithashtu imazhin publik të Ramës, duke u shprehur se ai nuk mund të mashtrojë partnerët ndërkombëtarë.
"Ne jemi këtu për Shqipërinë, për t'i thënë stop tranzicionit 36-vjeçar. Ju s'mund ta mbani të ardhmen e popullit shqiptar peng. Shqiptarët dhe e gjithë bota e kanë kuptuar fytyrën e Ramës, mashtrues, i cili me atletet e veta kujton se do t'i mashtrojë liderët ndërkombëtarë. Ata e dinë kush jeni ju, që jeni një autokrat që keni vjedhur buxhetin bashkë me bashkëpunëtorët tuaj."-shprehet ajo.
Duke iu referuar koncertit të Kanye West, ajo shtoi:
"Shembulli më tipik është kur i dhatë një këngëtari tallava 4.2 milionë euro. Është e turpshme të vidhni buxhetin në kundërshtim me Kushtetutën. Jeni manipulator i opinionit publik. Por tashmë ju ka ardhur fundi."-shtoi më tej protestuesja.
Një prej aktivistëve të protestës që prej 45 ditësh mbahet para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës, ka krahasuarkryeministrin shqiptar me liderin bjellorus Aleksandër Lukashenko.
Sipas tij, rezistenca e përditshme e qytetarëve ka nxjerrë në pah, siç pretendon ai, një model qeverisjeje të ngjashëm me atë të regjimeve autoritare.
“45 ditë, të paimagjinueshme. Kjo protestë ka denoncuar fuqishëm korrupsionin e kësaj qeverie. Dalja masive e rinisë dhe qytetarëve e ka plakur këtë qeveri të korruptuar si kurrë më parë”, u shpreh aktivisti.
Ai deklaroi se protesta ka dëmtuar imazhin që, sipas tij, Rama ka ndërtuar në arenën ndërkombëtare.
“45 ditë, të paimagjinueshme. Kjo proteste ka denoncuar fuqishëm korrupsionin e kësaj qeverie. Dalja masive e rinisë, qytetarëve, e kanë plakur këtë qeveri të korruptuar si kurrë më parë. Për 45 ditë qëndresë paqësore, kemi arritur t’ia çjerrim maskën këtij kryeministri, i cili kur shkonte jashtë Shqipërisë paraqitej dhe propagandonte veten si lider novator, që e kishte vënë çdo gjë për vijë dhe Shqipëria po lulëzonte. Për 45 ditë i treguan Europës dhe jo vetëm se ky nuk është lider novator, por është një Lukashenko i dytë. Njësoj si Lukashenko që ka dekada në pushtet dhe justifikohet se e mban pushtetin me votat e popullit, dhe Rama ka krijuar një sistem autokratik për të shtypur popullin, ku pakica përfiton ë kurriz të shumicës.”, tha ai.
Protestuesit kërkojnë më shumë investime për arsimin dhe shëndetësinë, ndërsa shprehen se protestat kanë rritur shpresën për ndryshim.
Mijëra protestuesit janë mbledhur edhe sot përpara godinës së Kryeministrisë, në protestën e 45-të radhazi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë, pjesëmarrësit deklarojnë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kauza e tyre dhe se protestat do të vijojnë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas protestuesve, vendi ka nevojë për më shumë investime në sektorët jetikë, si arsimi dhe shëndetësia, ndërsa kritikojnë organizimin e aktiviteteve festive dhe koncerteve, të cilat, sipas tyre, nuk zgjidhin problemet me të cilat përballen qytetarët.
"Ne duam shkolla dhe spitale, jo koncerte", ishte një nga mesazhet më të përsëritura gjatë tubimit, ku pjesëmarrësit kërkuan që fondet publike të orientohen drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.
Gjatë protestës nuk munguan as akuzat politike ndaj qeverisë. Protestuesit u shprehën se, sipas tyre, drejtuesit e vendit kanë hyrë në politikë për përfitime personale dhe jo për t'u shërbyer qytetarëve. Ata thanë se korrupsioni, emigracioni dhe vështirësitë ekonomike janë arsyet që i kanë shtyrë të dalin në protestë javë pas jave.
Pavarësisht numrit të madh të protestave të zhvilluara deri më tani, pjesëmarrësit këmbëngulin se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Sipas tyre, vazhdimësia e tubimeve ka krijuar një frymë të re qytetare dhe ka shtuar besimin se ndryshimi është i mundur.
Protestuesit shprehen se çdo tubim ka sjellë më shumë ndërgjegjësim dhe pjesëmarrje, duke theksuar se kauza e tyre nuk lidhet vetëm me një kërkesë politike, por edhe me nevojën, sipas tyre, për një qeverisje më të përgjegjshme dhe më pranë qytetarëve.
Tubimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa deri në këto momente nuk janë raportuar incidente. Protesta pritet të vijojë me fjalime të organizatorëve dhe qytetarëve që marrin pjesë në të.
Lini një Përgjigje