Hetimet e operacionit "Great Phoenix 43 – Azkaban" zbulojnë skemën e organizatës kriminale, e lidhur me sekuestrimin e të paktën 7.5 ton kokainë që prej vitit 2019.
Një hetim i gjerë i autoriteteve ekuadoriane, i mbështetur nga Europol, ka zbuluar mënyrën se si vepronte një rrjet i dyshuar kriminal polako-shqiptar, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të kokainës drejt Europës.
Sipas dosjes së operacionit "Great Phoenix 43 – Azkaban", organizata dyshohet se blinte kokainë pranë kufirit me Kolumbinë, e magazinonte në Ekuador dhe më pas e transportonte me anije drejt Holandës dhe vendeve të tjera evropiane. Autoritetet e lidhin rrjetin me sekuestrimin e të paktën 7.5 ton kokainë që nga viti 2019, shkruan "Primicias"
Kokaina fshihej në ngarkesa me banane, kafe dhe ushqime
Sipas hetimeve, droga fshihej në kontejnerë me mallra të ligjshme eksporti, si banane, kafe, ushqime deti, dru dhe produkte të konservuara, duke përdorur metodën e njohur si "hook i verbër" (blind hook), ku pakot me kokainë futeshin fshehurazi në kontejnerë pa dijeninë e eksportuesve.
Operacioni çoi në arrestimin e 18 personave, të dyshuar si pjesë e organizatës kriminale.
Shqiptari i dyshuar si drejtues i rrjetit
Sipas autoriteteve, një nga drejtuesit e organizatës është një shtetas shqiptar me inicialet Daci P., i pajisur edhe me dokumente identiteti ekuadoriane.
Hetuesit dyshojnë se ai vepronte si ndërmjetës i mafias ballkanike në Ekuador, duke marrë udhëzime nga Europa dhe duke koordinuar logjistikën e trafikut të drogës.
Për të justifikuar aktivitetin e tij ekonomik, shqiptari kishte regjistruar një biznes në sektorin e gastronomisë dhe shërbimit ushqimor. Megjithatë, sipas dokumenteve tatimore, ai deklaronte mesatarisht rreth 18 630 dollarë shitje mujore, ndërsa paguante më pak se 50 centë TVSH në muaj, çka ka ngritur dyshime për evazion fiskal.
Kompani fasadë dhe marrëveshje verbale qiraje
Hetimi zbulon gjithashtu përdorimin e kompanive që dyshohet se shërbenin si fasadë për aktivitetin kriminal.
Një tjetër figurë kyçe e organizatës, shtetasi polak Jakimiec T., rezulton aksionar në kompaninë Techpolska, e cila kishte si objekt edhe tregtinë me shumicë të bananeve, një sektor që, sipas hetuesve, përdorej për kontaminimin e kontejnerëve me drogë.
Sipas autoriteteve, kompania nuk kishte punonjës të regjistruar, nuk raportonte të ardhura dhe zotëronte vetëm rreth 1 400 dollarë asete.
Në dosje përmendet edhe një marrëveshje qiraje verbale për një banesë në urbanizimin Casa Laguna, në zonën La Aurora. Pronarja deklaroi se e kishte formalizuar marrëveshjen vetëm përmes një deklarate noteriale, disa orë pasi shqiptari ishte arrestuar.
Armë me leje dhe pajisje të koduara
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit polak, policia sekuestroi kompjuterë, telefona celularë, tableta dhe pajisje komunikimi që dyshohet se përdoreshin për koordinimin e aktivitetit kriminal.
Po ashtu u gjetën dy armë zjarri. Njëra prej tyre rezultonte me leje të vlefshme deri në vitin 2027, ndërsa për armën tjetër mungonte autorizimi, duke bërë që ndaj të dyshuarit të ngrihej edhe një procedim i veçantë për armëmbajtje pa leje.
Lidhje me një dosje të vitit 2020
Hetimi "Azkaban" ka nxjerrë në pah edhe lidhje me një çështje të vitit 2020, kur në portin e Guayaquil u sekuestruan dy ton kokainë të fshehura në një kamion.
Në atë kohë u arrestuan disa operatorë lokalë dhe roje sigurie, por më vonë ata u liruan për mungesë provash.
Sipas autoriteteve ekuadoriane, gjashtë vjet më vonë të njëjtët persona janë arrestuar sërish, këtë herë si pjesë e rrjetit që dyshohet se siguronte mbështetjen logjistike për mafian polako-shqiptare në portet e Guayaquil dhe Puerto Bolívar.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e organizatës dhe lidhjet e saj me rrjetet ndërkombëtare të trafikut të kokainës.
Lini një Përgjigje