Një kthesë e rëndësishme ka shënuar procesin gjyqësor për vrasjen e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila në Itali. Ish-i dashuri i saj, tashmë 17 vjeç, ka pranuar për herë të parë në Gjykatën e Apelit se ishte ai që e vrau vajzën, duke e shtyrë nga ballkoni i banesës në Piacenza më 25 tetor 2024.
I riu, i cili në kohën e ngjarjes ishte 15 vjeç, ishte dënuar në shkallën e parë me 17 vite burg nga Gjykata për të Miturit. Gjatë seancës së Apelit ai ndryshoi qëndrim, duke marrë përgjegjësinë për krimin dhe duke kërkuar falje për veprimin e kryer, si edhe për faktin se kishte vonuar pranimin e fajësisë.
Pranimi i tij u bë përmes një deklarate spontane nga burgu i të miturve në Catanzaro, ku ai po vuan dënimin.
Avokati Emilio Malaspina, përfaqësues i nënës së viktimës, Morena Corbellini, e cilësoi rrëfimin si një moment që mbyll një pjesë të rëndësishme të procesit.
"Me rrëfimin e tij mbyllet një rreth. Shpresojmë që Gjykata të konfirmojë vendimin e shkallës së parë, që ka përcaktuar një dënim të drejtë", deklaroi ai.
Seanca e radhës është caktuar për më 10 shtator, kur pas diskutimeve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe mbrojtjes pritet të jepet vendimi përfundimtar. Gjykata ka kërkuar gjithashtu një raport mbi sjelljen e të riut gjatë vuajtjes së dënimit, pasi ndaj tij janë raportuar edhe episode të tjera problematike.
Si ndodhi krimi
Sipas hetimeve, në ditën e ngjarjes 15-vjeçari e shtyu Aurorën nga ballkoni i banesës. Prokuroria pretendon se, kur vajza u përpoq të shpëtonte duke u kapur pas parmakëve, ai e goditi me gju, duke e detyruar të binte në boshllëk.
Vendimi i shkallës së parë u mbështet në dëshmi të personave që panë skenën dhe dëgjuan britmat e 13-vjeçares, si dhe në prova të tjera që gjykata i cilësoi si të pakundërshtueshme.
Hetimet zbuluan përndjekje dhe kërcënime
Sipas dosjes hetimore, Aurora kishte vendosur t'i jepte fund marrëdhënies me të riun disa javë përpara ngjarjes, por ai kishte vijuar ta ndiqte dhe ta shqetësonte.
Mes provave të administruara nga prokuroria ishte edhe një mesazh i dërguar nga i pandehuri, ku shkruante: "Plani im i hakmarrjes fillon tani, të mërkurën më 9 tetor në orën 02:50."
Në dosje u përfshinë edhe bisedat që Aurora kishte zhvilluar me ChatGPT, ku kërkonte këshilla për marrëdhënien dhe pyeste: "Sipas teje, a duhet ta lë?". Gjykata vlerësoi se këto komunikime pasqyronin gjendjen e saj të frikës dhe pasigurisë, në përputhje edhe me rrëfimet që ajo u kishte bërë familjarëve, shoqeve dhe edukatores së shërbimeve sociale.
Hetuesit kanë bërë të ditur gjithashtu se një ditë para krimit, i riu i kishte thënë një personi tjetër se kishte ndërmend ta vriste Aurorën. Sipas akuzës, ai kishte marrë me vete edhe një kaçavidë, e cila u sekuestrua më vonë nga autoritetet.
Në mesazhet e fundit drejtuar vajzës ai shkruante: "Nesër hera e fundit, pastaj kurrë më" dhe "Të premtoj që pas daljes së së premtes nuk do të të kërkoj më kurrë."
Sipas prokurorisë italiane, ndërsa Aurora besonte se takimi i fundit do t'i jepte fund konfliktit mes tyre, i riu kishte vendosur paraprakisht ta vriste.
Pranimi i fajësisë në Apel vjen disa muaj pas dënimit të tij në shkallën e parë dhe konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në procesin gjyqësor.
Lini një Përgjigje