Analisti Enton Abilekaj deklaroi se vendimi i kryeministrit Edi Rama për të akorduar 4.2 milionë euro për koncertin e artistit Kanye West ishte një vendim personal dhe jo transparent, duke shtuar se kjo çështje tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Abilekaj u shpreh se mbështet protestën e organizuar për këtë çështje, por theksoi se nuk duhet të barazohen pjesëmarrësit në koncert me mbështetësit e qeverisë. Sipas Abilekajt, shumë të rinj shqiptarë e njohin artistin dhe kanë zgjedhur të marrin pjesë në koncert për shkak të muzikës së tij, pa pasur domosdoshmërisht lidhje me qëndrime politike.
Ai theksoi se çështja e financimit është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ndërsa shtoi se ligjshmëria e aktit normativ do të përcaktohet nga institucionet përkatëse. Ai gjithashtu kritikoi mungesën e transparencës lidhur me vendimin, duke ngritur edhe pyetjen pse fonde të tilla nuk janë përdorur për aktivitete të tjera kulturore.
"Mendoj se ndërtimi i retorikës nga të dyja palët është i gabuar. Po e filloj nga protesta, unë e mbështes protestën. Protesta nuk është vetëm në shesh. Por, protesta nuk mund të njehsojë Kanye West me vendimin e Ramës për të disbursuar 4 miliardë lekë për të ndihmuar koncertin.
Në protestë pati shumë zëra që e njehsuan pjesëmarrjen në koncertin e Kanye West me mbështetësit e Ramës. Nuk është e njëjta gjë. Mund të ketë edhe protestues që kanë vajtur në koncert. Flasim për një këngëtar të nivelit të lartë, që edhe të rinjtë shqiptarë, e njohin dhe janë rritur me të, nuk ka gjë të keqe të shkojnë aty, nuk e njollos koncertin atë që bëri Rama.
Ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe në SPAK. Nëse akti normative është i paligjshëm do ta thonë organet. Vendimi duhet të ishte transparent dhe të tregojë arsyet. Tani kemi koncert të Zucchero, pse nuk shkojnë aty paratë?
Vendimi është jo transparent dhe i argumentuar, është vendim personal. Mediat e huaja e kishin në titull kryesor si u financua me 4.2 mln euro koncerti i Kanye West. Ne jemi mësuar këtu me vendimmarrje personale, por mediave të huaja u bëri përshtypje. Jo çdo njeri që ka vajtur atje ka refuzuar protestën. Madje pati edhe që thoshin Rama jepe dorëheqjen", deklaroi Abilekaj për "TPZ".
Lini një Përgjigje