Nga premtimet për paqe te urdhrat për bombardime, Donald Trump ka ndërtuar një diplomaci të paparashikueshme, ku negociatat dhe lufta zhvillohen njëkohësisht, duke e mbajtur botën në një gjendje të përhershme pasigurie.
Ka muaj që bota jeton mes shpresës dhe ankthit. Mbrëmjeve informohemi se po afrohet armëpushimi, se negociatat kanë hyrë në fazën vendimtare, se liderët po flasin për paqe. Në mëngjes zgjohemi nga alarmet, raketat dhe njoftimet për sulme të reja. Diplomacia është kthyer në një term që ndryshon kuptim brenda natës.
Në qendër të kësaj dinamike qëndron Donald Trump. Presidenti amerikan ka ndërtuar një stil të pazakontë diplomatik, ku presioni maksimal, deklaratat spektakolare dhe negociatat zhvillohen paralelisht me demonstrimin e forcës ushtarake. Një ditë shpall se lufta do të marrë fund "brenda orësh", ditën tjetër autorizon bombardime ose paralajmëron pasoja edhe më të rënda nëse kundërshtari nuk dorëzohet.
Është diplomacia "ngriva-shkriva". Një diplomaci që ngrin shpresat e kundërshtarit me kërcënime dhe i shkrin ato me premtime për marrëveshje. Një metodë që synon ta mbajë palën tjetër vazhdimisht në pasiguri, pa e ditur nëse përballë ka një negociator apo një komandant.
Problemi është se kjo qasje nuk prodhon pasiguri vetëm te kundërshtari. Ajo krijon pasiguri në të gjithë botën. Tregjet nuk dinë nëse të investojnë apo të tërhiqen. Aleatët nuk dinë nëse të përgatiten për paqe apo për luftë. Investitorët nuk dinë nëse të blejnë naftë apo të presin. Edhe opinioni publik është lodhur nga cikli i përditshëm i deklaratave që përgënjeshtrohen nga zhvillimet në terren.
Në konfliktin me Iranin kjo u pa qartë. U fol për armëpushim, ndërsa avionët vazhdonin bombardimet. U fol për stabilitet në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa flotat ushtarake shtohen çdo ditë. U fol për negociata, ndërsa raketat vazhdojnë të fluturojnë në të dy drejtimet.
Ky model nuk është i ri. Trump e ka përdorur edhe me Korenë e Veriut, edhe në marrëdhëniet tregtare me Kinën, edhe në raportet me NATO-n. Fillimisht rrit tensionin deri në kufijtë ekstremë, më pas ofron negociata si rruga e vetme për ta ulur atë. Për mbështetësit e tij kjo është një strategji efektive e forcës. Për kritikët është një lojë e rrezikshme me ekuilibrat ndërkombëtarë.
Por ndoshta pasoja më e madhe nuk është ushtarake. Është psikologjike.
Sot opinioni publik nuk i beson më as deklaratave për paqe dhe as kërcënimeve për luftë. Çdo njoftim merret me dyshim. Çdo konferencë shtypi shihet si pjesë e një loje taktike. Diplomacia, e cila dikur synonte të krijonte besim, po prodhon pikërisht të kundërtën: mosbesim.
Kjo është arsyeja pse bota sot jeton në një gjendje pritjeje të përhershme. Nuk dimë nëse nata do të mbyllet me një marrëveshje historike apo me një valë të re bombardimesh. Nuk dimë nëse një deklaratë presidenciale është fundi i krizës apo fillimi i saj.
Historia ka treguar se paqja ndërtohet mbi besueshmëri. Diplomacia mund të përdorë presionin, mund të përdorë edhe forcën si mjet të fundit, por nuk mund të mbijetojë pa parashikueshmëri. Kur çdo ditë sjell një të vërtetë të re, edhe diplomacia humbet funksionin e saj.
Ndoshta ky është paradoksi i kohës sonë: nuk kemi më frikë vetëm nga lufta. Kemi filluar të mos besojmë më as te paqja./Pamfleti
Lini një Përgjigje