Gjatë seancës, Ilir Selmani hodhi poshtë akuzat, duke këmbëngulur se nuk ka asnjë lidhje me krimin për të cilin është dënuar.
Nën masa të rrepta sigurie, është zhvilluar sot seanca në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj Ilir Selmanit, i dënuar në shkallën e parë për përfshirje në vrasjen e ish-policit Santiago Malko, një nga ngjarjet më të bujshme kriminale të viteve të fundit.
Seanca nisi rreth orës 14:30, ku përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme kërkuan lënien në fuqi të dënimit me 28 vite burg për Selmanin, duke e konsideruar të provuar përfshirjen e tij në ekzekutimin e Santiago Malkos, ngjarje e ndodhur më 19 gusht 2019 në zonën e Porcelanit, në Tiranë.
Gjatë seancës, Ilir Selmani hodhi poshtë akuzat, duke këmbëngulur se nuk ka asnjë lidhje me krimin për të cilin është dënuar.
"Jam i pafajshëm, nuk kam asnjë lidhje në këtë ngjarje," deklaroi ai para trupit gjykues.
Mirëpo u shënuan momente tensioni në sallën e gjyqit, ku ishte e pranishme nëna e Santiago Malkos. Ajo kërkoi që gjykata të lërë në fuqi dënimin maksimal të kërkuar nga SPAK, ndërsa u shpreh mes emocionesh se familja e saj pret drejtësi prej vitesh.
"Ky më ka vrarë djalin, të dënohet me 28 vite burg, ose më sillni djalin në shtëpi ta shikoj. Nxirreni jashtë këtë," deklaroi ajo gjatë seancës.
Ilir Selmani ndodhet aktualisht në masën e sigurisë "arrest në shtëpi", pasi pak muaj më parë përfitoi ndryshimin e masës për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit, një vendim që ngjalli reagime të shumta për shkak të profilit të lartë të çështjes.
Megjithatë, masa e sigurisë nuk ndryshon faktin se ai është shpallur fajtor nga Gjykata e Posaçme në shkallën e parë dhe tashmë çështja po shqyrtohet në Apel.
Apeli i GJKKO pritet të shqyrtojë provat dhe pretendimet e palëve përpara se të japë vendimin përfundimtar lidhur me fatin gjyqësor të Ilir Selmanit.
Si u ekzekutua Santiago Malko?
Santiago Malko u vra mbrëmjen e 19 gushtit 2019 në zonën e Porcelanit, në Tiranë, në një atentat të organizuar me kujdes, që hetuesit e kanë cilësuar si një ekzekutim mafioz.
Sipas dosjes hetimore, në momentin e sulmit Malko po lëvizte me automjetin e tij tip BMË X5 dhe ishte duke folur në telefon. Hetimet kanë arritur në përfundimin se ai kishte ngadalësuar shpejtësinë e mjetit, pa e kuptuar se prej disa minutash po ndiqej nga dy automjete.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezultoi se pas automjetit të viktimës lëvizte një Volksëagen Golf 6, ndërsa në një distancë të afërt ndodhej edhe një Mercedes-Benz CLS me ngjyrë të zezë, i cili sipas prokurorisë u përdor nga autorët e dyshuar të atentatit.
Malko u qëllua me breshëri automatiku, duke mbetur i vrarë në vend. Pas ekzekutimit, autorët u larguan nga vendngjarja, ndërsa disa orë më vonë automjeti Mercedes-Benz CLS u gjet i djegur në fshatin Ferraj.
Gjatë ekspertimit të mjetit të shkrumbuar, grupi hetimor sekuestroi një armë zjarri, e dyshuar si arma e përdorur në krim, si dhe sende të tjera, mes tyre doreza, atlete dhe veshje, që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë ekzekutimit.
Sipas hetimeve të SPAK, pista kryesore ka qenë ajo e një vrasjeje të lidhur me konfliktet mes grupeve kriminale. Prokuroria ka ngritur dyshime se ekzekutimi lidhej me implikimin e Malkos në disa ngjarje kriminale të ndodhura më herët në Tiranë, një pjesë e të cilave vijojnë ende të mbeten pa autorë të zbuluar.
Lini një Përgjigje