Gjendet pas dy ditësh kërkime trupi i pajetë i Erkin Likës, 38-vjeçarit që humbi jetën teksa po kryente një stërvitje me litar në Urën e Vashës, në Klos.
Trupi i të riut u lokalizua në ujërat e lumit Mat dhe u nxor nga palombarët, pas një operacioni kërkim-shpëtimi që zgjati dy ditë.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së shtunës. Sipas të dhënave paraprake, Erkin Lika, i apasionuar pas hiking-ut, alpinizmit dhe eksplorimit të shpellave, po zhvillonte një stërvitje me litar kur dyshohet se ra nga Ura e Vashës në lumin Mat.
Lika ishte gjithashtu pjesë e Shërbimit të Kërkim Shpëtimit Malor të Shqipërisë dhe një nga themeluesit e organizatës speleologjike, Shoqata Speleologjike Shqiptare.
Sipas hetimeve paraprake, 38-vjeçari mund të ketë rënë në një gropë thithëse në lumë, çka vështirësoi lokalizimin e tij dhe operacionin e kërkimit. Autoritetet vijojnë veprimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
Lini një Përgjigje