TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Korrik 2026, 11:59

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Fillon Kuvendi

Opozita bojkoton seancën, godina blindohet nga forcat e policisë

Ka nisur seanca e sotme plenare në mungesë të deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët bojkotuan punimet parlamentare. Opozita u përfaqësua vetëm nga deputetët e Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe Redi Muçi.
Në seancën e sotme janë parashikuar për shqyrtim një sërë projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura gjatë vitit 2025, si dhe diskutime për çështje të ngritura nga zgjedhësit.

Ndër pikat kryesore të rendit të ditës janë projektrezolutat për vlerësimin e punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), si dhe Bankës së Shqipërisë për vitin 2025.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu raportet vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Institutit të Statistikave (INSTAT), Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH), Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe Entit Rregullator të Ujit.

Ndërkohë, përreth godinës së Kuvendit janë vendosur masa të shtuara sigurie. Forca të shumta policie dhe mjete të blinduara janë dislokuar në zonë, megjithëse organizatorët nuk kanë paralajmëruar zhvillimin e ndonjë proteste gjatë ditës së sotme.

Në hapje të seancës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, bëri të ditur se kërkesa e Partisë Mundësia për zhvillimin e një interpelance lidhur me çështjet e Zvërnecit dhe Rrjollit nuk ishte pranuar.
"Është kërkuar interpelancë edhe për Zvërnecin dhe për Rrjollin. Janë çështje që janë diskutuar shpesh herë dhe ndaj nuk mund të ketë kërkesë të re, që mbështetet në të njëjtin objekt. Kërkesa për interpelancën nuk është pranuar", deklaroi Peleshi.

PS “përjashtoi” Shehajn 3 muaj/Kapri në Kuvend: Blinduat godinën me policë, po trembeni nga vezët

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri në seancën e sotme plenare ka akuzuar mazhorancën se me forcën e kartonëve ka përjashtuar nga punimet e Kuvendit kreun e kësaj force politike, Agron Shehaj, për tre muaj.

“Kthehem në sallë pas 20 ditësh përjashtim, që nuk e kërkoj pse u përjashtova. Më e rënda është që Kuvendi, me dhunën e kartonëve të kuq, ka përjashtuar edhe Shehajn për 30 ditë të tjera. Në total, kreu i një partie politike ka munguar 3 muaj, pra 1/3 e kohës. Nëse mendoni se ky është parlamentarizëm, është patetizëm.
Sot qytetarët janë në shesh dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe shpërbërjen e Kuvendit. Mendoni se jeni pronarë të Shqipërisë dhe e keni kthyer vendin në këtë derexhe.

Sapo u informova për letrat ku kërkesat tona për interpelanca janë anuluar. Si mund të ndaloni deputetët të flasin dhe të shkelni Kushtetutën në këtë pikë? Ky nuk është as parlament dhe as parlamentarizëm.
Kuvendi është blinduar nga policia edhe pse nuk ka asnjë protestues, sepse ju trembeni nga vezët. U trembët ju!”, tha Kapri.

Parlamenti është “blinduar” nga forcat e rendit paraditen e së hënës si masë paraprake në rast proteste.
Gjithashtu janë vendosur kordonë me efektivë policie dhe barriera metalike, pavarësisht se sot nuk është njoftuar grumbullim para Parlamentit nga protestuesit.

Rama humb qetësinë me qytetarët/ Bllokon komentet në Facebook që e kritikojnë

Kryeministri Edi Rama ka humbur durimin nga kritikat në rrjetet sociale dhe ka vendosur të zgjidhë problemin me një lëvizje të thjeshtë, duke bllokuar komentet.
Prej ditësh, në profilin e tij zyrtar në Facebook ka nisur një aksion për bllokimin dhe limitimin e komenteve.

Ky veprim ra në sy veçanërisht pas postimeve për koncertin e Kanye West, të cilin kryeministri e quajti "magji", ndërsa kritikët i kritikoi si zakonisht.

Por, sapo qytetarët filluan të kërkonin llogari për 4 milion eurot e buxhetit që u dhanë për këtë aktivitet privat, "magjia" u zhduk dhe komentet u bllokuan.

Kur nuk ke çfarë thua, mbyllja e mikrofonit mbetet zgjidhja më komode. Ky izolim digjital tregon se makineria e vjetër e propagandës po çalon.

Për vite me radhë, faqja e tij dominohej nga duartrokitjet e patronazhistëve, por sot as algoritmet nuk po e fshehin dot më realitetin.

4.2 mln euro për Kanye West/ Rama fajëson protestuesit: Po mos kishte tubime, s’do i kishim dhënë ato para

Kryeministri Edi Rama vijon të justifikojë faktin se i hoqi 4 mln euro nga fondi i emergjencës për koncertin e Kanye West në Tiranë, në një kohë kur në Shqipëri protestohet prej 42 ditësh për problemet sociale dhe ekonomike ku është zhytur vendi.

Rama e cilëson koncertin si një ngjarje me ndikim për imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe ekonominë e vendit.

Sipas kryeministrit, koncerti nuk ishte vetëm një shfaqje muzikore, por një event që, falë famës globale të artistit amerikan dhe fuqisë së rrjeteve sociale, e vendosi Shqipërinë në qendër të vëmendjes në mbarë botën.
Kreu i qeverisë komentoi edhe kritikat që shoqëruan organizimin e koncertit, duke thënë se ngjarja u kthye në një pikë përplasjeje dhe ndarjeje në opinionin publik.

“Mbrëmë, Shqipëria nuk organizoi thjesht një koncert. Shqipëria organizoi një ngjarje, që falë kanaleve sociale dhe famës globale të protagonistit, u bë në çdo cep të botës, një lajm. Në Shqipëri, këtë herë, ngjarja u bë motiv ndasie shumë e egër, ku një furi dhune dhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti. Kam dëgjuar të njëjtin refren, populli s’ka bukë, varfëria është në kulm, s’duam koncerte. Kjo qasje duket sikur ha debat. Ky është keqkuptim themelor mbi mënyrën si zhvillohet një vend. Zhvillimi nuk është bukë me madhësi fikse”, theksoi ai.

Rama argumentoi se zhvillimi i një vendi nuk duhet parë vetëm përmes shpenzimeve të menjëhershme, por edhe përmes vlerës që krijojnë evente të tilla në afat më të gjatë.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00 

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje