Eurodeputetja franceze dhe aktivistja për mbrojtjen e mjedisit dhe çështjet sociale, Emma Fourreau ka ardhur në Tiranë, ku ka shprehur mbështetjen e saj për protestën që po zhvillohet në kryeqytet.
Fourreau është takuar me deputeten e pavarur Marjana Koçeku, e cila u largua nga Partia Socialiste pas nisjes së protestave kundër qeverisë.
Lajmin e bëri të ditur vetë Koçeku përmes një postimi në rrjetet sociale, ku publikoi edhe detaje nga biseda me eurodeputeten franceze.
Sipas saj, në qendër të takimit ishin mbrojtja e mjedisit, si dhe rëndësia e angazhimit qytetar dhe politik për ruajtjen e natyrës.
"Natyra nuk njeh parti. Natyra nuk negocion me vendime të gabuara. Ajo ose mbrohet ose humbet", shkroi Koçeku në reagimin e saj.
Deputetja theksoi se mbrojtja e mjedisit nuk duhet parë si pengesë për zhvillimin ekonomik, por si një tregues i përgjegjësisë së institucioneve ndaj qytetarëve dhe standardeve europiane.
"Mbrojtja e natyrës nuk është pengesë për zhvillimin. Është prova më e madhe e përgjegjësisë së një shteti ndaj qytetarëve të vet dhe ndaj Europës që synon t'i bashkohet politikisht", u shpreh ajo.
"Me eurodeputeten franceze dhe aktivisten për mbrojtjen e mjedisit dhe çështjeve sociale, Emma Fourreau, e cila erdhi në Tiranë për me e mbështetë protestën. Folëm për çështjen e mjedisit dhe për randësinë e angazhimit qytetar dhe politik në mbrojtje të natyrës. Mjedisi nuk njeh parti. Natyra nuk negocion me vendime të gabueme. Ajo ose mbrohet ose humbet. Mbrojtja e natyrës nuk asht pengesë për zhvillimin. Asht prova ma e madhe e përgjegjësisë së nji shteti ndaj qytetarëve të vet dhe ndaj Europës që synon me iu bashku politikisht."-shkruan Koçeku.
Lini një Përgjigje