Ju ftojme te ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri ne kete ore te dites, ku nder te tjera vecojme:
Partia Demokratike bojkotoi seancën plenare, ndërsa protestat shkaktuan përplasje të forta mes mazhorancës dhe partive të reja. Taulant Balla dhe Erion Braçe sulmuan Redi Muçin dhe Endri Kaprin për financimet e forcave të tyre politike, ndërsa Ervin Salianji akuzoi Sali Berishën se me bojkotin po i shërben Edi Ramës.
Ndërkohë, PD kallëzoi në SPAK kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Blendi Gonxhe për financimin me 4.2 milionë euro të koncertit të Kanye West, duke i akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.
Gazeta holandeze de Volkskrant i kushtoi një artikull protestave në Shqipëri, ku deputetja Marjana Koçeku deklaroi se u largua nga PS për arsye morale dhe kërkoi një qëndrim më kritik të Bashkimit Europian ndaj qeverisë shqiptare.
Një tjetër zhvillim politik vjen nga Bashkia e Tiranës, ku Erion Veliaj, nga qelia, firmosi rikthimin në detyrë të Sekretarit të Përgjithshëm Alban Dokushi, pasi gjykata rrëzoi shkarkimin e tij si të pavlefshëm.
Në frontin e drejtësisë, SPAK kërkoi 7 vite burg për Fatime Kryemadhin dhe Ema Çokun, të akuzuara për pastrim parash në fraksionin e dosjes “Meta-Kryemadhi”, duke pretenduar se nuk justifikojnë qindra mijëra euro pasuri.
Në kronikë, zbardhen detaje të reja për vrasjen e Eglant Koçit. Autori i dyshuar Armand Shakaj u fsheh për 10 ditë në qarkun e Elbasanit, lëvizte me taksi dhe dyshohet se ndihmohet nga të afërmit. Ndërsa për atentatin ndaj Edmond Sulës, hetuesit dyshojnë se ekzekutimi u krye nga një vrasës me pagesë.
Gjykata e Shkodrës la në burg 64-vjeçarin Shtjefën Ziçi, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ndërsa në Klos u gjet pas dy ditësh trupi i alpinistit Erkin Lika.
Në Spanjë, autoritetet goditën një organizatë kriminale me lidhje shqiptare, duke arrestuar 14 persona dhe sekuestruar mijëra bimë marihuane, drogë, para cash dhe armë.
Në arenën ndërkombëtare, Franca dhe Gjermania thirrën ambasadorët rusë pas sulmeve të dyshuara kibernetike, ndërsa Ukraina njoftoi se goditi 14 anije ruse në Detin e Azovit. Tensionet mbeten të larta edhe në Lindjen e Mesme, ku Irani paralajmëroi SHBA-të pas sulmeve amerikane, ndërsa Kina testoi për herë të parë një raketë balistike ndërkontinentale nga një nëndetëse bërthamore në Paqësor.
Në sport, Botërori 2026 hyn në fazën e gjysmëfinaleve. Franca mbetet favoritja kryesore për trofeun, ndërsa Spanja, Argjentina dhe Anglia synojnë biletën për finalen e madhe.
Lini një Përgjigje