TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Korrik 2026, 16:37

Avokati i Popullit kontroll blic në burgun e Shënkollit: Duhet të ishte spital me siguri të lartë, jo burg me dy psikiatër

Shkruar nga Pamfleti
Avokati i Popullit kontroll blic në burgun e Shënkollit: Duhet të
Avokati i Popullit

Avokati i Popullit ka nisur një inspektim të paparalajmëruar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shënkoll të Lezhës, në kuadër të mandatit të tij si Mekanizëm Kombëtar për Parandalimin e Torturës. Kontrolli po zhvillohet gjatë ditës së sotme dhe do të vijojë edhe nesër.

Sipas gjetjeve paraprake të bëra publike nga institucioni, situata e konstatuar në burg paraqitet shqetësuese. Grupi i inspektimit ka evidentuar mbipopullim të rëndë të ambienteve të akomodimit, si edhe mungesë të theksuar të personelit mjekësor në raport me nevojat shëndetësore të të burgosurve.

Avokati i Popullit vlerëson se kushte të tilla cenojnë dinjitetin njerëzor dhe bien ndesh me standardet minimale të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT).

Problemi kryesor është se duhet të ishte një spital me siguri të lartë, jo një burg me dy psikiatër”, deklaroi Avokati i Popullit, Endrit Shabani, pas inspektimit.

Gjatë kontrollit, grupi i inspektimit po verifikon kushtet e akomodimit, shërbimin shëndetësor, regjistrat e ankesave, si edhe po zhvillon biseda private me të burgosur, pa praninë e stafit të institucionit, për të garantuar marrjen e informacionit në mënyrë të pavarur.

Pas përfundimit të inspektimit, Avokati i Popullit do t’i dërgojë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve një raport të plotë me gjetjet dhe rekomandimet konkrete. Institucioni bën të ditur se rezultatet do të krahasohen edhe me gjetjet e inspektimit të vitit të kaluar në burgun e Shënkollit, për të verifikuar nëse rekomandimet e mëparshme janë zbatuar.

Në reagimin e tij, Avokati i Popullit thekson se respektimi i të drejtave të personave të privuar nga liria nuk është çështje mëshire apo favori, por një detyrim kushtetues i shtetit ndaj çdo personi që ndodhet nën kujdesin e tij.

avokati i popullit shen koll

Lini një Përgjigje