Kryeministri pretendon se nisma u sulmua vetëm sepse mbante emrin e tij dhe të Aleksandar Vuçiç. Megjithatë, faktet tregojnë se “Ballkani i Hapur” nuk u rrëzua nga paragjykimet, por nga mungesa e besimit në rajon, izolimi politik dhe rikthimi i Bashkimit Evropian si aktori kryesor në Ballkan.
Edi Rama nuk heq dorë nga mbrojtja e një prej projekteve më të debatueshme të karrierës së tij politike. Në një intervistë për Euronews Serbia, kryeministri shqiptar deklaroi se “Ballkani i Hapur” u cilësua si “një ide e tmerrshme” vetëm sepse u promovua prej tij dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
“Ishte një ide e tmerrshme vetëm për një arsye se unë dhe Vuçiç ishim pas saj. Nëse do të hiqnim emrat tanë dhe do t’i zëvendësonim me pesë të tjerë, do të konsiderohej një ide e shkëlqyer”, u shpreh Rama, duke shtuar se kështu funksionon politika në Ballkan.
Por, pavarësisht përpjekjes së Ramës për ta paraqitur dështimin e “Ballkanit të Hapur” si rezultat të paragjykimeve politike, rrjedha e ngjarjeve në rajon tregon një realitet krejt tjetër.
Nisma, e njohur fillimisht si “Mini Shengen”, lindi në vitin 2019 si një projekt i përbashkët mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ajo u prezantua si një alternativë rajonale në një kohë kur procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ishte ngadalësuar dhe vendet e Ballkanit Perëndimor po humbnin besimin tek premtimet e Brukselit.
Rama dhe Vuçiç e promovuan “Ballkanin e Hapur” si një projekt autokton, që do të demonstronte se rajoni ishte në gjendje të ndërtonte vetë mekanizma bashkëpunimi ekonomik dhe politik, pa pritur gjithçka nga Bashkimi Evropian. Objektivi ishte krijimi i një tregu të përbashkët, me lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, sipas modelit evropian.
Megjithatë, projekti nuk arriti kurrë të shndërrohej në një nismë gjithëpërfshirëse. Kosova refuzoi ta pranonte, duke e konsideruar të papranueshme pjesëmarrjen në një projekt me Serbinë pa njohje reciproke. Edhe Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina zgjodhën të mos i bashkoheshin, duke mbështetur Procesin e Berlinit si mekanizmin zyrtar të bashkëpunimit rajonal.
Në praktikë, “Ballkani i Hapur” mbeti një projekt i tre liderëve, më shumë sesa një projekt i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pikërisht ky izolim politik ishte një nga arsyet kryesore që nisma humbi vrullin dhe nuk arriti të prodhonte ndikimin që premtonte.
Goditjen përfundimtare e dha ndryshimi i realitetit gjeopolitik pas agresionit rus në Ukrainë. Bashkimi Evropian ndryshoi kurs, riktheu zgjerimin në qendër të politikës së tij dhe intensifikoi angazhimin ndaj Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit rifitoi peshën që kishte humbur, ndërsa “Ballkani i Hapur” mbeti në plan të dytë.
Sot, shumica e projekteve rajonale zhvillohen nën ombrellën e Procesit të Berlinit dhe Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ndërsa nisma që Rama e konsideron ende një ide të mirë praktikisht nuk ka më rol në arkitekturën politike të rajonit.
Për këtë arsye, pretendimi i kryeministrit se “Ballkani i Hapur” dështoi vetëm për shkak të emrave të tij dhe të Vuçiçit nuk gjen mbështetje te zhvillimet e viteve të fundit. Projekti nuk u rrëzua vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga mungesa e besimit të vendeve të rajonit, refuzimi i Kosovës, qëndrimi i rezervuar i Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, si dhe rikthimi i Bashkimit Evropian si promotori kryesor i integrimit rajonal.
Ironia është se vetë Rama, i cili për vite e paraqiti “Ballkanin e Hapur” si të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, sot e sheh atë të zëvendësuar nga pikërisht Procesi i Berlinit, mekanizmi që dikur e konsideronte të pamjaftueshëm. Ndërsa kryeministri vazhdon ta mbrojë projektin si një ide të keqkuptuar, realiteti politik në rajon tregon se eksperimenti i “Ballkanit të Hapur” ka mbetur tashmë pjesë e së shkuarës. /Pamfleti
Mund te themi lirshem se ideja e rames ishte thjesht nje zhgaravine per propagande
Rama eshte shkja antishqiptar. Donte ta fuste Shqiperine nen JugoSerbosllavi. Tani qe nuk ja arriti, po copton vendin. Shëorreni kete monster te Shurrelit!
Krimineli drogaxhi, po siguron drogat permes satelite qe i bleu per kete.