Pas vendimit të gjykatës, Veliaj rikthen në detyrë Alban Dokushin...
Erion Veliaj i ka dërguar një ‘mesazh’ të fortë Edi Ramës dhe të besuarës së tij në krye të bashkisë, Anuela Ristani.
Kryebashkiaku ka firmosur rikthimin e Alban Dokushit në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë. Firma erdhi pas vendimit të formës së prerë të gjykatës, e cila rrëzoi shkarkimin e tij nga Anuela Ristani.
Në mars të vitit 2025, pas disa përplasjeve mes Ramës dhe Veliajt mbi delegimin e kompetencave, sapo Anuela Ristani rimori postin e kryetares së komanduar, shkarkoi nënkryetaren Sara Goxhaj, e cila, sipas një urdhri fillestar të Veliajt, por që u tërhoq më pas, do të merrte kompetencat e kryetarit. Si edhe shkarkoi Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë, Alban Dokushi.
Me këto dy lëvizje, Rama i hapi rrugë kapjes së bashkisë dhe më pas nisi lëvizjet për largimin e Veliajt, duke kërkuar edhe zgjedhje të reja. Por të gjitha iu rrëzuan.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Administrative e Apelit vlerëson se vendimi për lirimin e Alban Dokushit nga detyra, si edhe urdhri për përfundimin e marrëdhënieve financiare me të, janë absolutisht të pavlefshëm, duke i konsideruar juridikisht sikur nuk kanë ekzistuar asnjëherë.
Sipas gjykatës, këto akte nuk kanë krijuar asnjë pasojë juridike, nuk kanë hyrë në fuqi dhe nuk mund të korrigjohen apo legjitimohen më vonë nga organi që i ka nxjerrë.
Vendimi i formës së prerë konfirmon përfundimisht rikthimin në detyrë të Alban Dokushit dhe përcakton se aktet e shpallura me pavlefshmëri absolute nuk prodhojnë asnjë efekt juridik që nga momenti i nxjerrjes së tyre. Me firmosjen e urdhrit, Veliaj i ka dërguar një mesazh të qartë Ramës dhe Ristanit.
Lini një Përgjigje