Pas 20 vitesh mungesë, Arsenali është rikthyer në finalen e UEFA Champions League. Skuadra londineze triumfoi 1-0 të martën ndaj Atletico Madridit në shtëpi, falë golit të Bukayo Saka, duke siguruar kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 2-1.
Tashmë “Topçinjtë” presin të mësojnë rivalin e finales së 30 majit në Budapest, që do të dalë nga përballja Bayern Munich – PSG, sfidë që nis me avantazhin 5-4 të francezëve nga ndeshja e parë.
Pas vërshëllimës finale të arbitrit gjerman Daniel Siebert, futbollistët e Arsenalit festuan në fushë arritjen historike. Trajneri Mikel Arteta, në prononcimin për mediat, nuk e fshehu emocionin dhe ia dedikoi suksesin tifozëve.
"Ishte një natë e mrekullueshme. Të jetosh këto lloj momentesh me njerëzit tanë, lojtarët tanë, të gjithë në klub, është thjesht një ndjenjë e jashtëzakonshme”, tha trajneri i Arsenalit, Arteta, për Amazon Prime. "Ka kuptim, shumë nga gjërat që bëjmë dhe nëpër të cilat kalojmë, kur sheh kaq shumë fytyra të lumtura dhe kaq shumë njerëz krenarë për atë që po bëjmë, kjo vlen. Ishte e pabesueshme që nga fillimi, mënyra se si na pritën mbështetësit tanë në stadium, energjia, pasioni që ata treguan, ishte thjesht fantastike për t'u parë", tha ai.
Arsenali ka edhe katër ndeshje për të zhvilluar këtë sezon dhe synon një dopietë historike mes Premier League dhe Champions League. Londinezët kryesojnë kampionatin me pesë pikë më shumë se Manchester City, që ka një ndeshje më pak, ndërsa janë pranë fitimit të titullit kampion pas 22 vitesh.
Në krahun tjetër, trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, pranoi eliminimin pa kërkuar alibi, duke vlerësuar paraqitjen e kundërshtarit.
"Nëse u eliminuam, kjo ndodhi sepse kundërshtarët tanë e meritonin të kalonin, ata shfrytëzuan shansin e tyre të madh në pjesën e parë dhe e merituan të kalonin më tej. Ndihem i qetë, ndihem në paqe.
Nuk ishim mjaftueshëm të qartë me situatat në të cilat ndodheshim. U përmirësuam në pjesën e dytë. Kishte gjëra që mund të kishin shkuar në favorin tonë, por nuk shkuan mirë. Ne dhamë gjithçka nga vetja dhe tani duhet ta pranojmë situatën në të cilën ndodhemi. Falë mbështetësve dhe lojtarëve tanë, ndihem krenar për atë që kemi bërë", tha Simeone.
Lini një Përgjigje