Dilema e vërtetë e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë origjina e gazit, por paaftësia për të ndërtuar një konsensus kombëtar mbi strategjitë afatgjata. Duke e shndërruar një çështje jetike të sigurisë dhe ekonomisë në një arena gladiatorësh për pikë politike ditore, ne rrezikojmë të mbetemi të ngujuar në të kaluarën e thëngjillit, ndërsa treni i modernizimit energjetik rajonal po ikën para syve tanë. Publiku meriton të vërtetën: gazi nuk ishte rus, por llogaritë tona politike, fatkeqësisht, po rezultojnë të gabuara
Në teatrin tonë politik, ku dramat shpesh mbytin logjikën e ftohtë, debati shumëvjeçar mbi kyçjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror ka arritur në një pikë kulmore absurdi. Ndërsa njëra palë vajton në kor "prishjen e raporteve me Uashingtonin", pala tjetër , e mbërthyer nga një paranojë e trashëguar , pëshpërit nëpër korridore se ky gaz, në të vërtetë, "mban flamur rus". Mes këtij cikloni akuzash dhe teorish konspirative, e vërteta ka mbetur peng i llogoreve partiake. Por, nëse zhveshim debatin nga folklori politik, çfarë zbulojmë në të vërtetë?
Një projekt me pasaportë të pastër perëndimore
Miti se gazi i ofruar Kosovës është "gaz rus i ripaketuar me ambalazh amerikan" bie poshtë sapo të përballet mediatikisht me gjeografinë dhe infrastrukturën reale. Projekti në fjalë nuk buron nga tubacionet e Siberisë, por bazohet në Gazin Natyror të Lëngshëm (LNG). Ky gaz transportohet me anije transoqanike kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në Gjirin Persik, duke u shkarkuar në terminalin strategjik të Aleksandupolit në Greqi.
Prej andej, përmes Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) dhe interkonektorëve rajonalë, ky gaz synon të furnizojë Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. I projektuar nga Uashingtoni dhe Brukseli, ky rrjet nuk është asgjë më pak se një "mburojë energjetike" , një përpjekje e qartë gjeostrategjike për të thyer monopolet e gjigantit rus "Gazprom" dhe për të shkëputur përfundimisht Ballkanin nga varësia ndaj Moskës.
Zërat e arsyes profesionale, si busull orientimi
Kur mjegulla e debateve televizive trashet, janë institucionet ndërkombëtare dhe ekspertët e pavarur ata që duhet të shërbejnë si busull orientimi. Zërat e tyre, të dokumentuar qartë në medie, nuk lënë hapësirë për interpretime të dyta.
Joshua Volz (Departamenti i Energjisë i SHBA-së, i Dërguari i Posaçëm për Integrimin Global të Energjisë), në deklaratat e tij të dhëna për median ndërkombëtare (Radio Evropa e Lirë), ka rikonfirmuar prerazi se siguria energjetike e Ballkanit Perëndimor është një prioritet i lartë i sigurisë kombëtare të SHBA-së. Volz e ka bërë të qartë se modernizimi i sistemit tonë energjetik kërkon burime të qëndrueshme dhe se projektet e gazit natyror janë pikërisht alternativa sovrane që Uashingtoni i ofron rajonit për të zëvendësuar varësinë ruse, por edhe ndotjen e madhe .
Arian Zeka (drejtues i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë - OEAK), përmes reagimeve zyrtare të shpërndara për mediet vendore (si Ekonomia Online dhe Telegrafi), e ka përshkruar tërheqjen e qeverisë nga ky investim si një "befasi të ngutshme" . Zeka ka nënvizuar se Kosova humbi një momentum të artë për ndërtimin e një infrastrukture kritike dhe se ky refuzim jo vetëm që zbehu partneritetin me SHBA-në, por dëmton direkt edhe konkurrueshmërinë ekonomike afatgjatë të bizneseve në vend.
Luan Shllaku (ekspert i mjedisit dhe energjisë, në analizat e tij të shkruara publikisht dhe në intervistat për agjencinë KosovaPress e emisionin Konfront në KTV, ka rikujtuar një fakt shpesh të harruar: Kosova nuk po nisej nga zeroja. Që nga vitet '70-'80 ekziston një rrjet i ndërtuar i gazsjellësit që dikur lidhte Obiliqin me Shkupin, Mitrovicën dhe Ferronikelin. Sipas Shllakut, refuzimi për t'u lidhur me gazin amerikan dhe kokëfortësia për të "fjetur mbi qymyr" (linjit) është një rrugë pa krye, pasi gazi natyror mbetet i domosdoshëm si bllok stabilizues për të siguruar energjinë që sot na mungon.
Fatura e refuzimit, çfarë po paguan Kosova?
Arsyetimi i Qeverisë së Kosovës, i artikuluar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u mbështet mbi gjuhën e numrave: një kosto kapitale e lartë (rreth 600 milionë euro) dhe një dëshirë për të kaluar direkt te burimet e pastra (dielli dhe era). Por, strategjia afatshkurtër shpesh prodhon fatura të kripura afatgjata. Refuzimi i projektit ka sjellë tashmë pasojat e veta. Ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po integrohen me shpejtësi në korridoret e reja të gazit LNG, Kosova po mbetet një "ishull" i izoluar, i varur pothuajse tërësisht nga termocentralet e vjetra dhe ndotëse të thëngjillit.
Çdo ekspert e di se energjia e gjelbër (dielli dhe era) është e paqëndrueshme kur moti ndryshon. Pa gazin natyror si "karburant tranzicioni" për të balancuar sistemin, tranzicioni i proklamuar energjetik ngjan me një kërcim në errësirë pa rrjetë sigurie.
Ndonëse Kosova më vonë nënshkroi një marrëveshje tjetër me MCC-në prej 236 milionë dollarësh (por ekskluzivisht për bateri të ruajtjes së energjisë), nëse pas pak vitesh vendi do të detyrohet të kthehet te gazi, ndërtimi i rrjetit do të kushtojë shumë më tepër, kësaj radhe pa grantet fillestare që ishin në tavolinë.
Në rrafshin gjeopolitik, refuzimi i projekteve me interes të lartë për Uashingtonin krijon perceptimin e një partneri të paparashikueshëm. Kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare dhe rajonale, vendimet nuk mund të maten vetëm me metra kub, burime apo financa, por me peshën e aleancave.
Si duhet të veprojë Qeveria e Kosovës?
Përballë këtyre fakteve, kokëfortësia politike duhet t'i lëshojë rrugë pragmatizmit strategjik. Qeveria e Kosovës nuk e ka luksin ta trajtojë energjinë si një betejë mes "të gjelbrës absolute" dhe "interesave amerikane". Për të dalë nga ky ngujim, ekzekutivi duhet të ndërmarrë tre hapa urgjentë:
Kosova duhet të rinisë urgjentisht diskutimet me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë për të siguruar një pikë kyçjeje (interkonektor) në rrjetin e gazit LNG. Edhe nëse nuk e përdor gazin menjëherë në masë të madhe, sigurimi i infrastrukturës është një garanci jetike për të ardhmen.
Qeveria duhet të pranojë që tranzicioni i gjelbër (dielli dhe era) nuk mund të ndodhë brenda natës pa një bllok stabilizues. Gazi amerikan duhet të konceptohet si një "karburant kalimtar" për 15-20 vitet e ardhshme, i cili do të zëvendësonte gradualisht blloqet më të vjetra dhe më ndotëse të termocentraleve "Kosova A".
Në vend të refuzimeve të njëanshme që krijojnë kosto diplomatike, Kosova duhet të ulet me Uashingtonin dhe Brukselin të hartojë një strategji të përbashkët, duke kërkuar fonde të reja dhe grante të përziera (përfshirë ato nga planet e BE-së për Ballkanin) që zbusin koston financiare të ndërtimit të rrjetit të brendshëm të gazit.
Nëse iu referohemi argumentave të msipërme, nuk e kemi vështirë të konludojmë se "gazi amerikan" nuk ka asnjë pikë lidhjeje me Rusinë, përveç faktit që ishte projektuar për ta luftuar atë.
Dilema e vërtetë e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë origjina e gazit, por paaftësia për të ndërtuar një konsensus kombëtar mbi strategjitë afatgjata. Duke e shndërruar një çështje jetike të sigurisë dhe ekonomisë në një arena gladiatorësh për pikë politike ditore, ne rrezikojmë të mbetemi të ngujuar në të kaluarën e thëngjillit, ndërsa treni i modernizimit energjetik rajonal po ikën para syve tanë. Publiku meriton të vërtetën: gazi nuk ishte rus, por llogaritë tona politike,fatkeqësisht, po rezultojnë të gabuara./Pamfleti
Lini një Përgjigje