Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municione dhe pajisje të tjera të dyshuara ilegale, gjatë një operacioni që zhvilloi në në tri lokacione të ndryshme në komunën e Zubin Potokut.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë zhvilluar pas informacioneve se në zonë, në objekte të ndryshme, kishte armë, municione dhe sende të tjera të paligjshme.
Në fshatin Presek, gjatë kontrollit në një objekt ndihmës (stallë për bagëti), policia ka gjetur një pushkë të tipit M48, karikatorë të armëve të gjata, mbi 150 fishekë të kalibrit 7.62 mm, si dhe pajisje të tjera, përfshirë elemente të uniformës kamuflazhi dhe mjete ndriçuese.
Në një rast të dytë, në të njëjtin fshat, janë sekuestruar një tjetër pushkë M48 dhe qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, ndërsa në rastin e tretë në fshatin Qeçevë është zbuluar një sasi tjetër armësh, municioni, pajisje për mbushjen e fishekëve, barut dhe sfera metalike.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, që ka urdhëruar hetimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.
Lini një Përgjigje