
Pas përfundimit të numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, janë qartësuar edhe emrat e atyre që do të përfaqësojnë qytetarët në Kuvend. 101 deputetë të legjislaturës së kaluar në Kosovë do të jenë edhe në të radhës, që është e 11-ta. Në këtë përbërje do të jenë 9 deputetë që do të ulen në sallë për herë të parë, e 10 të tjerë kanë qenë deputetë më herët, por nuk ishin në legjislaturën e fundit
Saktësisht 101 deputetë të legjislaturës së kaluar që punuan vetëm dy muaj e gjysmë, do të jenë edhe në të radhës.
Bazuar në rezultatin, pas numërimit të të gjitha fletëvotimet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), 48 deputetë të Lëvizje Vetëvendosje nga përbërja e kaluar kanë fituar mandat për të qenë sërish ligjvënës.
Nga Partia Demokratike (PDK) mandatet i kanë rifituar 19 deputetë, nga Lidhja Demokratike (LDK) 15 dhe nga Aleanca 6.
Në këtë legjislaturë për herë të parë do të hyjnë 9 deputetë, prej tyre 5 nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 4 nga Lista Serbe.
Nga LVV-ja në Kuvend për herë të parë do të jetë Osman Musliu, Arton Konushevci, Armend Baloku, Krenare Çerkini dhe Valon Peci.
10 deputetë nga legjislaturat e mëhershme, por që nuk ishin në të fundit, do t’i kthehen Kuvendit. Nga PDK-ja janë kthyer Jakup Nura, Altin Krasniqi e Rrustem Mustafa.
Përmes LDK-së në Kuvend sërish do të ketë ulëse ish-presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, pastaj Arben Gashi e Paris Guri, kurse përmes Aleancës, Ardian Gjini e Teuta Haxhiu. Nga minoritetet, Kuvendit do t’i kthehen edhe Fikrim Damka e Albert Kinolli.
Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7 ulëse. Nga këto rezultate, 31 deputetë të legjislaturës së kaluar që garuan edhe në zgjedhjet e 7 qershorit kanë mbetur jashtë Kuvendit.
Nga LVV-ja jashtë mbetën Rozeta Hajdari, Arjeta Rexhepi, Arsim Demi, Avdullah Klinaku, Bajram Mavriqi, Bylbyl Sokoli, Egzon Azemi, Ejup Ahmeti, Fahrush Rexhepi, Fatos Geci, Fitim Haziri, Ilir Qeriqi, Luan Aliu, Mimoza Shala, Mytaher Haskuka, Naim Bardiqi dhe Shqipe Isufi.
Por, nëse LVV-ja formon e vetme Qeverinë, atëherë shumica e tyre pritet të kthehen në Kuvend pas lirimit të vendeve nga deputetët që do të zgjedhën ministra. Nga PDK-ja jashtë Kuvendit ka mbetur Arbnore Saliuhu, Nait Hasani e Xhavit Haliti.
Nga LDK-ja vetëm ish-deputetja Adelina Thaçi-Meta nuk arriti të sigurojë ulëse, megjithëse kjo parti rriti numrin e mandateve për 3 sosh.
Nga Aleanca jashtë ka mbetur Bekë Berisha. Por, nëse kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini dhe deputeti Daut Haradinaj heqin dorë nga posti i deputetit, gjë që e kanë paralajmëruar, atëherë ulëse do të ketë edhe për Berishën dhe për Burim Ramadanin. Nga komuniteti serb dhe grupi multietnik nuk do të jenë 9 deputetë.
Nga numërimi i të gjitha votave, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është deputeti më i votuar me mbi 324 mijë vota. Pas tij, radhitet Gauk Konjufca me mbi 264 mijë vota dhe Albulena Haxhiu me 165 mijë vota.
Në PDK prin Bedri Hamza me 126 mijë vota e pasohet nga Përparim Gruda me mbi 78 mijë dhe Arian Tahiri me 68 mijë.
Në LDK, Vjosa Osmani si bartëse e listës ka siguruar mbi 92 mijë vota, pasuar nga lideri i partisë, Lumir Abdixhiku, me mbi 83 mijë dhe Doarsa Kica-Xhelili me mbi 66 mijë.
Treshen më të votuar të Aleancës e përbëjnë kryetari Ardian Gjini me mbi 44 mijë vota, Ramush Haradinaj me mbi 40 mijë dhe Daut Haradinaj me mbi 31 mijë vota./Koha
Lini një Përgjigje