Lëvizja Vetëvendosje ka fituar një mandat shtesë pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës, duke e rritur përfaqësimin e saj në Kuvendin e Kosovës në 53 deputetë. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka humbur një ulëse dhe tashmë do të përfaqësohet me 18 deputetë.
Partia Demokratike e Kosovës ka ruajtur rezultatin me 22 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë 7 deputetë në legjislaturën e re.
Shpërndarja e mandateve është bërë sipas formulës D’Hondt. Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, institucionet e reja duhet të kalojnë në procesin e konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së presidentit dhe formimit të Qeverisë.
Për krijimin e shumicës parlamentare dhe votimin e Qeverisë nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para të votimit.
Lini një Përgjigje